Zjarr makinës së gjyqtarit, kamerat zbulojnë autorët

AKTUALITET


Policia e Shkodrës ka identifikuar autorët e zjarrvënies së makinës së gjyqtarit, Andri Ymeri. Policia i ka identifikuar autorët bazuar në pamjet filmike që ka siguruar përmes kamerave të sigurisë së bizneseve dhe të rrugës, por nuk i bën publike identitetin e tyre për shkak të hetimit.

Në pamjet filmike shihen autorët duke i vënë flakën makinës që ishte parkuar në qendër të qytetit të Shkodrës, në afërsi të Kishës Françeskane.

Ka qenë ora 23:48 e mbrëmjes së kaluar kur papritur dy persona me skafandër në kokë dhe me një motor janë afruar tek mjeti tip “Benz” i gjyqtarit Andri Ymeri duke e lyer me lëndë djegëse benzinë dhe duke i vënë flakën makinës.

Menjëherë flaka është përhapur me shpejtësi duke shkrumbuar mjetin tip “Benz” të gjyqtarit Ymeri. Dy autorët pasi sigurohen në pak sekonda se mjeti mori flakë dhe po digjej janë larguar me shpejtësi në drejtim të Gjuhadolit andej edhe nga kanë ardhur.

Nga zjarri në mjetin e gjyqtarit është kapur nga flakët edhe një makinë tjetër që ndodhej ngjitur me të. Të dy mjetet janë shkrumbuar plotësisht në të gjitha pjesët. Efektivët e zjarrfikësve kanë shuar flakët aq sa kanë mundur tek dy makinat e djegura. Pas verifikimit nga policia se djegia është e qëllimshme dhe se mjeti është i gjyqtarit Andri Ymeri në vendngjarje kanë mbërritur edhe forca të shumta policie por edhe vetë gjyqtari Andri Ymeri.

Ende nuk dihen arsyet e kësaj ngjarjeje, por dyshohet se kjo ka ndodhur për shkak të detyrës.

Andri Ymeri, gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës, ka qenë për disa vite edhe kryetar i kësaj gjykate.

Më herët, Ymeri është akuzuar për korrupsion nga një i dënuar, por ndaj tij nuk ka pasur proces penal.



Skip to toolbar