Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në konferencë për shtyp këtë të premte, 27 mars, me në fokus zhvillimin ekonomik dhe treguesit kryesorë.
“Për 3-mujorin e fundit të vitit 2025, rritja ekonomike ishte 3.8%, një rritje më e lartë krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian, që ishte 1.4% dhe më e lartë se sa mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me 3%.
Në detaj, vendet e Ballkanit Perëndimor, shtetet fqinje u rritën me norma të krahasueshme me ne. Disa vende që ne i kemi marrë si referencë, të BE-së, janë Italia, Greqia, Gjermania, Krocia apo Franca. Në 3-mujorin e katërt ekonomia ka mbajtur trendin e të gjithë vitit, kryesisht rritja ka ardhur nga shërbimet, megjithatë për një pamje më të detajuar, kontributin kryesor e ka pasur sektori i ndërtimit, ndjekur nga aministrimi publik, arsimi dhe shëndetësia”, u shpreh ministrja. Me performancën më negative, theksoi se ka qenë sektori i informacionit dhe komunikacionit. Një tjetër sektor në rënie, sipas ministres, ka qenë ai bujqësisë, pavarësisht rritjes pozitive te pyjet dhe peshkimi.
Ibrahimaj, deklaroi se investimet u rritën me 6.73%, eksportet neto arritën një rritje prej 10.6%.
“Ekonomia është e qëndrueshme edhe ndaj goditjeve të jashtme, stoku i borxhit ka ardhur në reduktim dhe ka një rritje të interesit të kompanive të huaja për investime në vend“, u shpreh ajo.
Nënvizoi se rezerva valutore neto është rritur me 16.7%, duke mbuluar rreth 7.3 muaj të tregtisë, çka është e rëndësishme në kontekstin e krizës së fundit me çmimet.
“I kemi kapacitetet për të përballuar me rezistencë të gjitha goditjet që mund të na vijnë nga jashtë”, tha Ibrahimaj.
Tregtia e jashtme: 84.4% e eksporteve janë shërbime, 15.6% mallra. Eksportet totale arrijnë 10 miliardë euro, 10.5% më shumë se vitin e kaluar.
Tregu i punës: Papunësia me 8.3%, punësimi me 68.9, pjesëmarrja në forcat e punës në 75.9%. Paga mesatare: 86 900 lekë, 4.3% më shumë se vitin e kaluar.
Performanca e bizneseve, për dy muajt e parë të vitit 2026 (janar-shkurt):
– Bizneset e reja: 3 760, 14.6% më shumë se vitin e kaluar.
– Qarkullimi i kompanive: 29.3 miliardë lekë, 5% më shumë se vitin e kaluar.
Ministrja theksoi se shteti i bizneseve shqiptare vazhdon të përmirësohet në të gjitha sektorët kryesore, dhe trendi pozitiv shihet tek qarkullimi, punësimi dhe pagat.
