Ibrahimi: Hetuesit e BKH-së do trajnohen nga FBI, SPAK do ketë pavarësi

AKTUALITET


Byroja Kombëtare e Hetimit është një tjetër organ i rëndësishëm, që krijohet nga Reforma në Drejtësi. Kjo organizatë hetimore do të jetë në varësi direkte të Prokurorisë Speciale, e cila do të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta të politikës. Në një studio televizive, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi është shprehur se BKH do të jetë gati sapo anëtarët e saj të trajnohen nga FBI në SHBA.  “Prokuroria shqiptare gjithmonë ka patur nevojë për ndërmjetësim dhe ndihmën e Policisë së Shtetit për të hetuar krimin. Një oficer i Byrosë Kombëtare të Hetimit ka për Zot, prokurorin e Prokurorisë së Posaçme. Kjo ndihmon edhe në konfidencialitetin dhe sekretin e hetimeve, sepse gjithçka aty konsumohet brenda një trupe të vogël njerëzisht”.

“Këto historitë me përgjime që dalin lart e poshtë shpresoj të mos i dëgjoj më, për shkak të faktit që do të jetë vetëm një grup ekskluziv njerëzish shumë i ngushtë që do të ketë akses në dokument. “FBI do të trainojë NBI – ky është akronimi në anglisht i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Natyrisht që bëhet fjalë për një trainim disa mujor, në bazën më të madhe të trainimeve të FBI-së. Zgjidhja tranzitore do të jetë që prokurorët e Prokurorisë së Posaçme do të punojnë me ato struktura të Policisë Gjyqësore që janë të pranishëm në zyrën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda”, u shpreh kreu i KLP-së. Sipas Gent Ibrahimit, prokurorët e SPAK do të kenë pavarësi të madhe në punën e tyre, aq sa dhe Këshillit të Prokurorisë do t`i duhet mbështetja e 2/3 të votave të anëtarëve për të shkarkuar një prokuror të SPAK, në rast se do të jetë i nevojshëm.


 “Pavarësia e prokurorëve të SPAK ka edhe një dimension tjetër përveç çlirimit të lidhjes hierarkike që në fakt kanë ekzistuar në të kaluarën. Këshilli vetëm mund ta shkarkojë një prokuror të Prokurorisë së posaçme, por edhe këtë gjest ekstrem mund ta bëjë vetëm me ⅔ e anëtarëve të Këshillit. Ju siguroj që përvoja e këtyre 6-7 muajve të parë të Këshillit sugjeron se arritja e mazhorancës, sidomos për këto çështje kaq kontradiktore siç është ndëshkimi i prokurorit të Prokurorisë së Posaçme, është pothuaj i pamundur që të arrihet. Pra pavarësia e tyre ka edhe një dimension tjetër të rëndësishëm- ata shërbejnë për një mandat 9 vjeçar që nuk e kanë prokurorët e tjerë”, tha Ibrahimi.




Skip to toolbar