Ibrahimi: Kandidatët për kryeprokuror, në fund të shtatorit

AKTUALITET


Kreu i KLP ka deklaruar se në fund të shtatorit do të fillojë përzgjedhja e kandidatëve të përshtatshëm për Prokuror të Përgjithshëm, duke i dhënë fund drejtimit të organit të akuzës nga prokurorja e përkohshme e përgjithshme, Arta Marku.

“Besoj që javën e fundit të shtatorit, Këshilli do të marrë një vendim për miratimin e listës zyrtare të kandidatëve për prokuror të përgjithshëm. Shpresojmë që të jenë të katërt kandidatët, por mund të jenë edhe 3 dhe 2.. por sidoqoftë shpresa është që ne të kemi të katërt kandidatët, të jemi në gjendje t’i skanojmë dhe t’i quajmë të përshtatshëm, për pozicionin e prokurorit të përgjithshëm”, tha Ibrahimi.


Pas kandidimit të të interesuarve për prokuror të përgjithshëm, KLP do të bëjë vlerësimin e tyre, duke i dhënë fund kohës se prokurores së përkohshme, e cila ka qenë në qendër të akuzave të opozitës, me pretendimin se ajo është zgjedhur vetëm me votat e mazhorancës.

Pas vlerësimit të kandidatëve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i paraqet Kuvendit të Shqipërisë propozimin për të emëruar si Prokuror të Përgjithshëm tre kandidatët e renditur sipas listës. Propozimi përfshin vendimin e arsyetuar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.




Skip to toolbar