Kreu i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori foli në emisionin “Real Story” në ABC News, për programin e Lëvizjes Bashkë, duke u ndalur tek pensionet.
Gjatë intervistës, u shpreh se për pensionet është marrë vetë personalisht dhe se i ka studiuar për rreth dy vite.Arlind Qori nënvizoi se pensionet rriten përmes uljes së informalitetit.
“Për pensionet kam dy vite që studioj personalisht. Në Shqipëri emigron masivisht forca punëtore dhe ka informalitet të lartë. Një në dy veta që punon nuk ka mundësi ose nuk i paguan sigurimet shoqërore. Nëse nuk luftohet ky fenomen, nuk ndryshon gjë. Zoti Rama është ndierë në vështirësi nga ne sepse idetë tona kanë qenë serioze dhe të rezlizueshme. Duhen rreth 1 miliard euro çdo vit shtesë në buxhetin e shtetit. Dhe ku do gjenden këto para? Lufta ndaj informalitetit.
Informaliteti, sikur ta përgjysmojmë, ta bëjmë sa Maqedonia e veriut do rikuperonim 530 milion euro çdo vit. Të shtojmë para që paguajmë për punëtorët për fondin e sigurimeve shoqërore. Nga buxheti i shtetit kompensohet pjesa që mungon. Gjysma e problemit zgjidhet duke përgjysmuar informalitetin. Imagjinoni dhe luftën ndaj korrupsionit do të ndihmonin edhe për të investuar më shumë…Dhe më pëlqen fakti që zoti Rama dhe PS ka ardhur tek tezat tona… Tani ka dalë vetë zoti Rama që thotë 200 mijë lekë pension…”, tha ai.