Ilir Beqja: Rreth debatit në Real Story për shifrat e vdekjeve

CORONAVIRUS


Dje kam ndjekur një debat interesant në Real Story lidhur me efektet në jetën e shqiptarëve të sëmundjes COVID-19.

Nëse mundem, fillimisht, do të doja të mbahej parasysh fakti që, sipas mendimit tim, mbrëmë nuk po flitej për statistika. Mbrëmë po flitej për të dhëna administrative që burojnë nga Regjistri Elektronik i Gjendjes Civile të Republikës së Shqipërisë. Statistikat janë diçka krejt tjetër. Kështu që cdo opinion apo vlerësim për shërbimin statistikor në Shqipëri, do të ishte i pavend të bëhej bazuar vetëm në disa të dhëna administrative.


Tabela në vijim ka të dhënat administrave të vdekjeve në Shqipëri në muaj janar, shkurt, mars respektivisht në 2019 dhe 2020.

Gjithsej2019202020/19
Janar2623238390.9%
Shkurt2208214497.1%
Mars2208198890.0%

Duhet mbajtur parasysh që në këta të dhëna janë të përfshirë edhe ata shtetas shqiptarë që nuk janë me banim të përheshëm në Shqipëri. Në ndryshim nga ne që jetojmë këtu dhe që kemi detyrime ligjore (dhe penalitete për mos respektimin  e tyre) për të regjistruar aktin e vdekjes së një familjari tonë, ata që janë me banim të përhershëm jashtë vendit nuk kanë të njëjtat detyrime. Për rrjedhojë c’regjistrimi I tyre nga Regjistri i Gjendjes Civile mund të ndodhë me disa muaj vonesë nga dita e vdekjes e çertifikuar nga mjeku ligjor.

Tabela në vijim ka të dhëna për vdekjet e personave me banim të përhershëm jashtë vendit. Është e dukshme që në 2020 ka ulje të ndjeshme të vdekjeve të personave që jetojnë jashtë vendit, por që kanë regjistruar vdekjen edhe në Shqipëri. Duhet të mbajmë parasysh që në vendet ku jetojnë më shumë shqiptarët janë prekur jo pak nga Covid-19, lëvizjet janë kufizuar pothuajse fare, por edhe shërbimet administrative dhe konsullore janë reduktuar në nevojat emergjente. Me siguri, nëse në shtator 2020 do të këkrojmë të dhënat e vdekjeve jashtë vendit në tre muajt e parë të vitit, do të kemi të dhëna më të larta. Por, kjo nuk mund të na çojë në konkluzionin naiv se u dashka reformim i thellë i sistemit të Gjendjes Civile në Shqipëri. Në Shqipëri sot jetojnë rreth 2,845,000 vetë. Në Regjistrin e Gjendjes Civile janë më shumë se 4,2 milionë vetë (nuk e disponoj numrin e saktë). 

Jashtë2019202020/19
Janar23919682.0%
Shkurt23515164.3%
Mars21510448.4%

Prandaj do të ishte më oportune që analiza për çfarë ka ndodhur në Shqipëri në këta muaj të përqëndrohemi tek vdekjet e ndodhura në Shqipëri. Këto të dhëna pasqyrohen në tabelën në vijim.

Shqipëri2019202020/19
Janar2384218791.7%
Shkurt19731993101.0%
Mars1993188494.5%

Një lexim i shpejtë i tabelës së mësipërme do të kërkonte një analizë më të thelluar të grupmoshave, gjinisë dhe shkaqeve të vdekjeve në janar 2020.

Në mars 2020, kemi një situatë atipike të jetesës së përditshme. Kufizim të lëvizjeve, për pasojë më pak aksidente rrugore, më pak ngjarje kriminale, etj.

Në mars 2020 janë 15 vdekje të shkatuara nga COVID-19.

Në mars 19’ janë 24 aksidente fatale, ndërsa në mars 20’ janë 10 aksidente fatale.   

Në mars 19’ janë 7 vrasje me dashje, ndërsa në mars 20’ janë 2 vrasje me dashje.

Në mars 2020, krahasuar me mars 2019 duhet të kemi më pak fatalitete qoftë nga më pak aksidente në punë, qoftë nga më pak helmime ushqimore si pasojë e mbylljes së bareve dhe restoranteve për 18 ditë, por do të duhet më shumë kohë për të të patur informacion të mjaftueshëm.

Edhe diskutimi për saktësinë e të dhënave të vdekjeve gjatë kësaj periudhe ka qënë problematik në shumë vende të zhvilluara. Mbrëmë u soll edhe referenca e Francës në emision.

Grafiku në vijim tregon fatalitetet ditore në Francë nga COVID-19. Sipas grafikut, në Francë në datë 1 prill kanë vdekur nga COVID-19 500 vetë, ndërsa në 2 prill kanë vdekur 1300 vetë. Sigurisht që kjo nuk mund të jetë e vërtetë.

Besoj se me kalimin e kohës do të jemi në gjendje të bëjmë një analizë më të plotë të shkaqeve të fataliteteve nga COVID-19 në jetën e shqiptarëve. Por, gjithsesi, mund të themi se nga të dhënat administrative të vdekjeve të ndoshura në Shqipëri nuk rezulton të ketë përpjekje nga autoritetet shtetërore për të mbajtur të fshehur para opinionit publik vdekjet përgjatë periudhës së epidemisë së COVID-19.




Skip to toolbar