Importonin kokainë, operacioni me Italinë dhe Gjermaninë prangos tre persona në Vlorë

AKTUALITET


Tre persona janë arrestuar në Shqipëri si pjesë e një operacioni ndërkombëtar me Italinë dhe Gjermaninë të koduar “Sammogia” për të goditur trafikun e lëndëve narkotike.

3 të arrestuarit janë prangosur në Vlorë. Ata janë Landi Kalemaj 52 vjeç, Floriant Muho 38 vjeç dhe Ledjon Muho 33 vjeç.


Ata akuzohen se janë anëtarë të një grupi kriminal që trafikon drogëra të forta, kryesisht në Itali.

Për të tre këta shtetas, Gjykata e Bolonjas ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Në total, gjatë operacionit të zhvilluar në Shqipëri, Itali dhe Gjermani u arrestuan 13 persona.


Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Operacioni, i iniciuar nga Policia italiane, u zhvillua njëkohësisht në Shqipëri, Itali dhe Gjermani.

Finalizimi i tij, rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Departamentit të Policisë Kriminale/Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Zyrës së Interforcës Italiane në Shqipëri.

Pjesëtarë të një organizate kriminale në Itali, për trafikim narkotikësh, lokalizohen në Vlorë, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas.

Gjatë operacionit ndërkombëtar “Sammogia”, në total, në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, u arrestuan 13 shtetas.

Si rezultat i partneritetit shumë të mirë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese italiane, të konkretizuar me shkëmbim intensiv informacionesh dhe operacione të njëpasnjëshme të përbashkëta, me objektiv kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, Departamenti i Policisë Kriminale/Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe me Zyrën e Interforcës Italiane në Shqipëri, finalizuan operacionin ndërkombëtar të koduar “Sammogia”.

Gjatë këtij operacioni të zhvilluar paralelisht në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, u lokalizuan në Vlorë, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit L. K., 52 vjeç, F. M., 38 vjeç dhe L. M., 33 vjeç.

Për të tre këta shtetas, Gjykata e Bolonjas ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Interpol Tirana dhe homologët në Itali vijojnë bashkëpunimi për të kryer ekstradimin e këtyre shtetasve në Itali.




Skip to toolbar