Imzot Angelo Massafra uron besimtarët për Pashkët Katolike: Pa Zotin çdo gjë është zi

AKTUALITET


Imzot Angelo Massafra Arqipeshkev i Shkodrës ka dhënë një mesazh paqeje dhe shprese për të gjithë besimtarët për Pashkët Katolike.

Ai  ka theksuar se pa Zotin çdo gjë është zi në sfera të ndryshme si personale, politike dhe shoqërore.


Sakaq, Imzoti ka thënë se duhet të pranojmë me përulësi se bota jonë është aq larg nga një shembull i tillë përsosmërie dhe shkaku i çdo të keqeje të madhe qëndron pikërisht në mosimitimin e Mësuesit dhe të Zotit tonë.

Në përfundim, ai ka uruar Pashkët të gjithëve që ta përjetojnë dritën shkëlqyese të Krishtit dhe ta reflektojnë atë kudo.

Mesazhi i plotë:

Shumë të dashur vëllezër dhe motra,

ju mbërriftë tek ju mesazhin tim i përzemërt me rastin e Pashkës së këtij viti 2024.

Është një mesazh paqeje dhe shprese, që dëshiroj t’ju mbërrijë të gjithëve ju, familjeve tuaja, si edhe personave tuaj të shtrenjtë që keni larg, që gjenden në situata të dhimbshme dhe të trishta: të sëmurë, të burgosur, të varfër dhe nevojtarë.

Mesazh paqeje në një botë të copëtuar nga lufta dhe të pushtuar nga fantazma e një konflikti të mundshëm në shkallë të gjerë. Një mesazh shprese që na ndihmon ta lexojmë të tashmen me sytë e fesë dhe që na largon çdo frikë për të ardhmen.

Po përjetojmë, sot si asnjëherë më parë, se sa e vërtetë është që, pasi e kemi hequr Zotin nga bota jonë, nga mendimet tona dhe nga zgjedhjet që duhen bërë çdo ditë në sferën personale, politike dhe shoqërore, gjithçka priremi që ta shohim zi. Sa të këqija na tregojnë lajmet çdo ditë! Për ta është burim fitimi (sepse e keqja përbën lajm dhe shitet shumë), por për ata që ushqehen me këtë të keqe është helm vdekjeje. Megjithatë e keqja është aty, ajo është e vërtetë; kështu ka qenë gjithmonë dhe nuk kemi pse të habitemi.

Feja na ndihmon që të kemi përpara syve tanë përvojën e Pashkës së Krishtit; një përvojë e cila, si e jona, përbëhet nga e Premtja e Madhe dhe nga e Diela e Ngjalljes. Feja nuk na bën që t’i mbyllim sytë përpara të keqes, por na bën që ta kuptojmë më mirë atë dhe të orientohemi kah e mira.

Krishti u përball me të keqen; por siç na mëson Shën Pjetri: “Krishti pësoi për ju duke ju lënë shembullin” (1 Pjt 2, 21-24). Çfarë shembulli? Është gjithmonë Shën Pjetri ai që na e shpjegon: “Ai që mëkat nuk bëri dhe në buzët e tija nuk u gjet gënjim; Ai që i fyer, nuk hakmerrej me fyerje dhe, i salvuar, nuk kërcënonte, por ia lëshonte çështjen e vet Atij që gjykon me drejtësi”.

Duhet të pranojmë me përulësi se bota jonë është aq larg nga një shembull i tillë përsosmërie dhe shkaku i çdo të keqeje të madhe qëndron pikërisht në mosimitimin e Mësuesit dhe të Zotit tonë. Me përvujtërinë e tij Krishti mundi arrogancën e të fortëve: ai nuk e mallkoi Judën tradhtar, por i dha atë copë bukë për të cilën kishte thënë “ky është korpi/trupi im…” dhe ajo kafshatë “eukaristike” u bë helm për të keqen që e kishte pushtuar.

Jezusi vdiq në kryq për të na ngjallur në një jetë të re. Ai që e mirëpret Jezusin në jetën e tij është një person i ri, i aftë për të bërë atë që është e mirë dhe atë që është e drejtë. A nuk është kjo ajo çfarë i duhet botës sonë: çfarë është e mirë dhe çfarë është e drejtë?

Ne, vëllezër e motra, siç përfundon Shën Pjetri, “me varrët e tij jemi shëruar”. Domethënë, Ai e mori të keqen tonë për ta shndërruar në të mirë, për të na shpëtuar dhe shëruar. Kështu, Krishti i Ngjallur ndriçon interpretimin tonë të realitetit në të cilin jetojmë dhe na nxit ta kuptojmë të mirën edhe atje ku ka të keqe.

Dhe pastaj hapi tjetër: të jemi “të shëruar” që i shikojnë me butësi dhe shpresë plagët e kësaj bote apo plagët tona për t’i lyer ato me vajin e ngushëllimit dhe me verën e shpresës (Meshari Romak); pa shkurajim dhe mosbesim, por me guximin e fesë që përshkon “të premten dhe të shtunën” (dmth. vuajtjet e ditës!) për të arritur më në fund në mëngjesin e ngjalljes.

Ju uroj të gjithëve që ta përjetoni dritën shkëlqyese e Pashkës të Krishtit, gëzimim e Tij dhe aftësinë për të qenë “pasqyra”, që e reflektoni atë në botën ku jetoni, në familjen tuaj, në personat tuaj më të shtrenjtë, në miqësitë tuaja, në vendet tuaja të punës dhe në ato në të cilat përjetohet vuajtja dhe dhimbja fizike ose morale.

Gëzuar Pashkën, vëllezër dhe motra katolikë dhe krishterë. Ju bekoj me gjithë zemër. Krishti u Ngjall, Aleluja, Vertet u Ngjall Aleluja! Gëzuar!




Skip to toolbar