Inceneratori i Tiranës/ SPAK mbyll hetimet, çon për gjykim 10 të pandehurit

AKTUALITET


Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për një fraksion të inceneratorit të Tiranës dhe ka zbritur dosjen në GJKKO për kalimin në gjykim të 12 të pandehurve dhe 2 shoqwri.

Hetimet u mbyllën për dy drejtuesit e grupit kriminal Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto si dhe për shtetasit e tjerë Dashamir Ymeraj, Arjola Kodra, Denisa Tollkucci, Elton Bualli, Endrit Habilaj, Renato Nallbani, Giuseppe Ciaffaglione dhe Marc Richard Lappat si dhe për shoqëritë “Integrated Energy BV S.P.V” sh.p.k dhe Integrated Technology Service” sh.p.k.

Nga provat e administruara në lidhje me procedurën koncesionare të zhvilluar nga Ministria e Mjedisit me objekt “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”, e lidhur mes Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k, me kosto të investimit të parashikuar nga shoqëria koncesionare, në vlerën 128,248,330 euro, pa TVSH, është shpallur fitues shoqëria “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k.

Gjatë procedurës koncesionare janë konstatuar veprime të kundraligjshme të personave përgjegjës të autoritetit kontraktor, ish Ministrit të Mjedisit Lefter Koka, ish Sekretarit të Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako dhe të personave përgjegjës të tjerë, shtetasve Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, ku në sajë të veprimeve të tyre në kundërshtim me detyrën është shpallur fitues në këtë procedurë koncesionare, shoqëria “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k

Nga hetimi ka rezultuar se pronarët “de facto” të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, të pandehurit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, kanë përfituar në mënyrë të parregullt vlera të mëdha monetare të siguruar nga zbatimi i kontratës koncesionare, duke mos bërë investime për realizimin e veprës, objekt të kësaj kontrate.

Mërtiri dhe Zoto kanë përdorur mekanizmin e nxjerrjes së shumave monetare nga llogaritë e shoqërisë koncesionare, në sajë të mashtrimit nëpërmjet krijimit të faturave fiktive, në sajë të shfrytëzimit të shoqërive fiktive të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe përmes transferimeve në vlera cash.

Ndaj të akuzuarve SPAK ka ngritur akuzat “Mashtrimi me pasoja te renda”, “Pastrim parash e kryer në bashkëpunim, të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal, Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.



Skip to toolbar