Incidenti në Rumani – Kosovë, Duka: Arbitri veproi si duhet, UEFA do të marrë masa

Më të fundit


Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, i ftuar në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, ndër të tjera iu përgjigj edhe pyetjes nëse duhet të riniste ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës, pasi i ndërpre për gati 50 minuta.

Duka tha se arbitri veproi korrekt duke dhënë paralajmërimin e fundit se nëse një gjë e tillë ndodh sërish, ndeshja ndërpritet dhe rezultati shkon në favor të Kosovës.


Sipas tij, incidenti nuk krahasohet me atë të Beogradit në vitin 2014, por gjithësesi mbetet i rëndë.

“Unë dua t’i ndaj futbollistët dhe futbollin nga banderolat në atë stadium dhe në stadiume të tjera.  Nuk kanë lidhje as futbollistët dhe as federatat. Unë kam folur edhe me Ademin edhe me kreun e federatës  rumune dhe kanë qenë të dy të shqetësuar.

Loja u ndërpre pikërisht sepse futbolli nuk i pranon këto. Fiks sipas rregullave, arbitri ka paralajmëruar dy herë dhe ka qenë paralajmërimi i fundit kur ekipet kanë hyrë në fushë dhe ka thënë se nëse ndodh edhe një herë, ndeshja ndërpritet dhe rezultatin e merr ekipi i Kosovës.

Nuk ka ndodhur më. Padyshim që ka qenë ngarkesë për futbollistët e Kosovës. Ka ngarkesë emocionale. Ajo mes Shqipërisë dhe Serbisë ishte më e rëndë, por dhe kjo ishte e rëndë.

Dënimet për ta duhet të jenë shumë të rrepta, për këdo që do ta bëjë pis futbollin” u shpreh Duka.

Sipas kreut të federatës Shqiptare, UEFA do të marri masa, pasi gjithmonë kur ka ndërprerje ka masa, masat do të vendosen nga komisioni i disiplinës.

Duka theksoi se Kosova nëse është dakord me masat nga kimisionit i disiplinës, vendimi apelohet, nëse nuk është serish dakord me Apelin, shkon në KAS që është shkalla e tretë dhe e fundit.

“Padyshim që UEFA do të marri masa. Kur ka ndërprerje loje gjithmonë ka masa. Se kush do të jenë masat, do ta vendosi komisioni i disiplinës.

Varet se çfarë masash do të marrin komisioni i disiplinës dhe  i apelit dhe shkalla e tretë është e KAS. Nëse Kosova nuk do të pranojë dy vendimet e para të drejtësisë.

Qartas ka ndërprerje loje që penalizohet jo, pak dhe qartas ka parulla raciste kundër ekipit mik” tha ai.

Në fund Duka dha edhe një parashikim për 12 tetorin, ku u shpreh se ka besim se kombëtarja do të bëjë mirë.

“Ne kemi bërë shumë mirë. Kemi ekip të mirë. Kemi ardhur bindës deri këtu. Kemi edhe 3 ndeshje shumë të rëndësishme. Kam besim të ekipi, te stafi, tek shqiptarë, që të gjithë janë pozitiv dhe japin energji pozitive, që i bën mirë ekipit kombëtar.

Këtë moment shumë mirë, do të dinë ta shfrytëzojnë profesionalisht dhe të na gëzojnë të shkojmë në Gjermani.  Ta tregojmë edhe një herë që ne e meritojmë për të qenë qytetar evropian” theksoi ai.




Skip to toolbar