Aksioni kundër informalitetit që ka ndërmarrë qeveria shqiptare i ka vënë drynin dhe ka gjobitur disa nga lokalet më të njohur dhe më të frekuentuar të jetës së natës në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Zëvendës kryeministri Erion Braçe thotë se shiriti i bllokimit nga tatimorët i është vendosur lokalit “The Code” i cili është kapur në mënyrë të përsëritur për mos lëshim kuponi dhe për punësim në të zezë të punonjësve. Ndërsa dy lokale të tjera si Lolly Pop dhe Cavalliero janë gjobitur nga inspektorët e tatimeve pasi janë kapur për herë të parë duke mos paguar kuponin tatimor.
“Lolli Pop pas kontrollit u gjet me shkeljen e mosdokumentimit të transaksioneve përmes kuponit tatimor si dhe me dy punëtorë në të zezë, të pa deklaruar.
The Code pas kontrollit u gjet me shkeljen e përsëritur të mos dokumentimit të transaksioneve përmes kuponit tatimor si dhe një punëtor në të zezë, të padeklaruar. The Code për këto shkelje u mbyll dhe punonjësit e organeve fiskale vendosën masën e bllokimit të aktivitetit.
Cavalliero pas kontrollit u gjet me shkeljen e mosdokumetimit të transaksioneve përmes kuponit tatimor dhe mori gjobën respektive sipas ligjit”, shkruan Braçe.
Në një postim në rrjetet sociale, Braçe ka edhe një thirrje: “Bëjeni biznesin të ligjshëm, punoni fort dhe me faturë tatimore e kupon, fitoni dhe shlyeni detyrimet. Është krim një skllavëri e tillë, nuk i bëhet më një qenie humane kjo, nuk do e tolërojmë”.
Braçe thotë se aksionet anti-informalitet nuk kanë ikur me verën, por se do të vijojnë gjatë gjithë kohës.
“Evazioni fiskal është pabarazi, punëtorët në të zezë është skllavëri. Nuk kemi ikur kund, nuk ikëm me verën. Jemi këtu, në punë e në përputhje me ligjin, kundër evazionit dhe kundër skllavërisë në punë”, shkruan Braçe.


