Isa Mustafaj është zgjedhur për një mandat tjetër në krye të Partisë Lidhja Demokratike e Kosovës. Ai ishte i vetmi kandidat për postin e kryetarit të partisë në Kuvendin e nëntë zgjedhor.
Mustafa pas përfundimit të procesit zgjedhor që zgjati rreth dy orë me dyer të mbyllura, tha se ka qenë një proces demokratik dhe i hapur duke ofruar mundësinë për të gjithë që të garojnë.
“Në LDK demokracia është më e rëndë se sa në subjekte tjera. Qëllimi i këtij procesi ka qenë që ne ta forcojmë LDK-në, të përfshijmë njerëz të rinj që ndajnë mendime, ide dhe aspirate me LDK-në, ta pasurojmë në pikëpamje gjinore dhe të moshës si dhe të hapim perspektivë për të ardhmen që LDK të qëndrojë e para edhe për qeverisjen e vendit”, tha Mustafa.
Por, Fatmir Sejdiu, ish kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, post të cilin e kishte trashëguar nga ish presidenti Ibrahim Rugova, ka shprehur pakënaqësi për Kuvendin e nëntë zgjedhor të LDK-së, pasi nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme që të kandidonte në garën për kryetar.
“Unë them se me këtë mënyrë të punës, me këtë ngecje, me këtë mënyrë të mungesës së guximit të njerëzve që nuk kanë mundësi për fjalën e lirë, unë nuk i mbështes. Këtë e kemi shenjë të keqe. Kam provuar ditëve të fundit që të kem kontakte me kryetarin e partisë, nënkryetarët rreth asaj për kryetarin konsensual. Unë kam tentuar që të kem përgjigje, por nuk e kamë marrë një të tillë”, ka dekalruar Sejdiu.
Kryetari i rizgjedhur i partisë Isa Mustafa, në fjalimin e tij pas procesit zgjedhor, tha se tani hapi i radhës për LDK-në do të jetë përgatitja për zgjedhjet parlamentare qendrore, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.
Më herët gjatë ditës Isa Mustafa është uruar nga kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.