“Jo më takime koti”, LDK jep ofertën e fundit për LVV

KOSOVA


Krijimi i qeverisë së re në Kosovë është ende në ujëra të turbullta, ku dy partitë, Vetëvendosja dhe LDK, takohen, paraqesin ofertat e tyre, por nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për të krijuar koalicionin qeverisës. Kreu i LDK-së, Isa Mustafa tha se partia e tij nuk heq dorë nga posti i kryeparlamentarit, 5 ministrive dhe presidentit dhe se Vetëvendosja duhet të shqyrtojë ofertën e tyre të fundit për të arritur një marrëveshje ku dhe do të përcaktohet nëse do të ketë një koalicion qeverisës mes tyre apo jo.

“Ne nuk kemi hyrë ta vlerësojmë atë që na ka shkruar Vetëvendosje, sepse nëse e trajtojmë në organet tona trajtohen vetëm parimet mbi të cilat ne vazhdojmë të bëjmë biseda, në asnjë rast nuk kemi kërkuar shtim të ministrive, ndryshim, këmbim të ministrive, por kemi kërkuar marrëveshje të partneritetit, prandaj si të tillë nuk e shqyrtojmë një pozicionim të tillë, por i trajtojmë qëndrimet tona. Se a mbetet LDK edhe më tutje pranë qëndrimin se të ketë kryeparlamentarin, të ketë zotimin për presidentin e vendin dhe të ketë 5 ministri. Ose nuk mbetet, qëndrimi ka qenë ky se ne duhet të kemi këto pozita. Çdo ndryshim nuk mund të bëhet pa marrjen e verifikimit të organeve tona”, tha ai.


Mustafa tha se nuk do të takohen më me Vetëvendosjen vetëm për të mbajtur takime 3 orëshe dhe në fund të mos kenë asgjë për t’u ofruar qytetarëve, por takimi i radhës do të jetë vetëm për të arritur marrëveshjen përfundimtare. Kreu i LKD-së, Mustafa tha se nuk do të bëjë asnjë marrëveshje për bashkëqeverisje, nëse nuk është marrëveshje partneriteti, ku të dy palët do të ndiheshin të fuqishme.

“Nuk shoh arsye që të ulemi dhe të flasim për tre orë dhe të dalim si memecë pranë jush, mos kemi çka t’iu themi juve dhe qytetarëve. Shoh arsye që takimi i ardhshëm të bëhet vetëm për të arritur deri te marrëveshja. Së pari të sqaroj që ne nuk duam të bëjmë asnjë marrëveshje për bashkëqeverisje nëse nuk është marrëveshje partneriteti, në të cilën dy palët do të ndiheshin të fuqishëm për aq sa kanë marrë besimin e qytetareve të Kosovës. Në këto biseda ne e kemi dhënë pozicionin e saj për mënyrën se si të përafrohemi dhe gjejmë zgjidhje, pa marrë parasysh si e cilësojmë në si zgjidhje politike, si ofertë ose si bazë për arritje të marrëveshjes, ato kanë qenë qëllime të tona dhe kemi pritur se LVV do t’i mirëpret në mënyrë që vendi të ketë zgjidhje nga zgjedhjet”, tha Mustafa.




Skip to toolbar