Ky 21 janar, për herë të parë e gjen kryebashkiak Agron Malajn, ish-gardistin që ishte në krye të detyrës më 21 janar 2011 ku gjatë protestës së opozitës së asaj kohe, Partisë Socialiste, mbetën të vrarë nga Garda 4 qytetarë të pafajshëm në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Nëntë vite më pas, kryetari i Bashkisë së Matit Agron Malaj, thotë se refuzoi të zbatojë urdhrin për të hapur zjarr mbi protestuesit e pafajshëm. Në një reagim në rrjetet sociale, Malaj thotë se përgjegjës direkt për atë fatkeqësi është ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-Ministri i Brendshëm i asaj kohe Lulzim Basha që “dhanë urdhër për të qëlluar duke shkelur çdo ligj e çdo normë”, sipas tij.
Teksa u shpreh ngushëllime familjarëve të viktimave, Malaj shprehet se do të kërkojë që “ajo tragjedi e ai krim shtetëror të zbardhet duke nxjerrë përpara përgjegjësisë autorët e tij të vërtetë, sado lart qofshin ata në jetën politike të vendit”.
“21 janari është një tragjedi me të cilën mua më është dashur të jetoj çdo ditë gjatë 9 viteve të fundit. Unë nuk humba në atë tragjedi asnjë pjesëtar të familjes time. Por ka megjithatë diçka që më bashkon mua, ish “gardistin e 21 Janarit” me familjet e 4 qytetarëve të pafajshëm që humbën jetën në atë ditë të tmerrshme. Na bashkon dëshira që ajo ngjarje të zbardhet e drejtësia të shkojë në vend. Prej 9 vitesh tashmë emri im është lidhur me atë ngjarje tragjike. Emri i një njeriu, i një ish gardisti në krye të detyrës, që refuzoi të zbatojë urdhrin për të hapur zjarr mbi protestuesit e pafajshëm, është lidhur në mënyrën më perverse me vrasjen e Ziverit, Aleksit, Faikut dhe Hekuranit, jo nga familjet, jo nga organet e ligjit, por pikërisht nga ata që dhanë urdhër për të qëlluar e më pas shkelën çdo ligj e çdo normë, për të mos lejuar zbardhjen e të vërtetës. Unë sot, vijoj punën time me kokën lart. Me ndërgjegjen e pastër. Mbi mua nuk rëndon asnjë akuzë. As për 21 janarin e as për asgjë tjetër. Kush ka ende dyshime për këtë mund të hapë vendimin e KQZ, bazuar në vendimin e Prokurorisë, ku çertifikohet pastërtia e figurës time dhe më njihet e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje. A mund ta thonë të njëjtën gjë ata që sot drejtojnë sulmin kundër meje? A nuk do duhej që të paktën sot, në 21 janar, së paku të mbyllnin gojën e të ulnin kokën nga turpi për jetët e pafajshme që kanë marrë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, nën urdhrat e ish kryeministrit dhe të atij që asokohe ishte Ministër i Brendshëm dhe që në çdo vend normal do ishin dënuar jo një, por disa herë, për krime që shkojnë nga vjedhja e korrupsioni e deri te pastrimi i parave e financimi nga Rusia dhe vrasja”, shkruan Agron Malaj.