Patozi: Secili ka zgjedhur 21 janarin e vet

POLITIKË


Ish deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi, me anë të një statusi në Facebook ka komentuar ngjarjet historike të 21 janarit ndër vite, duke sjellë në kujtesë çdo 21 Janar që ka lënë gjurmë në histori, ndërsa ka vënë theksin se secili ka zgjedhur 21 janarin e vet.

Patozi shkruan se kjo klasë politike edhe pas 100 vitesh e turpëron misionin historik dhe të rëndësishëm për vendin që pati Kongresi i Lushnjës, ndërsa në lidhje me vdekjen e Ibrahim Rugovës, Patozi cilëosn se edhe kur përkujtohet dhe vlerësohet figura e tij, nuk harrohet të sulmohet edhe armiku i sotëm, një deklaratë që lidhem me ish kryeministrin Sali Berisha, i cili gjatë përkujtimit të vdekjes së Rugovës, nuk harroi të sulmojë kryeministrin Rama “si vegël të Beogradit në Tiranë”. Për Patozin asnjë nga këto përkujtime nuk janë bërë për të respektuar vlerat, por për të sulmuar dhe përplasur historinë në fytyrë kundërshtarit të tyre.


“Secili ka zgjedhur 21 janarin e vet, jo për të respektuar vlerat dhe parimet që mbron, por për t’ia përplasur historinë në fytyrë kundërshtarit. Madje edhe kur flitet për një vdekje të qetë në shtrat si ajo e themeluesit të shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova, sërish kihet parasysh armiku i sotëm.
Do të mjaftonte kjo ndarje preferencash përkujtimore dhe rrëfimet diametralisht të kundërta të “veteranëve” për ta ndjerë veten të turpëruar si shqiptarë. Në këtë ditë krenaria për Kongresin e Lushnjës do të kishte kuptim vetëm për nxënësit e fillores, sepse gjithë të tjerët do ta krahasonin automatikisht me parlamentin e sotëm dhe do të ulnin kokën.

100 vjet janë tmerrësisht shumë për të mos nxënë se në një vend normal patriotët dhe tradhtarët nuk e emërojnë vetë njëri-tjetrin dhe se engjëjt apo djajtë e kulluar nuk ekzistojnë.
Por mbi të gjitha, se askush nuk do të gjykohet nga ato që thotë për veten dhe për ata që ka përballë, por vetëm për atë që ka bërë për popullin e vet. Dhe kjo vlen për 21 janarin dhe për çdo datë tjetër me të kuqe apo me të zezë të kalendarit tonë. Koha ikën shpejt dhe ajo është gjithmonë e pamëshirshme për gënjeshtarët” shkruan Patozi.




Skip to toolbar