Ditën e sotme, Pallati i Kongreseve do të mirëpresë delegatët e Kuvendit të Partisë Demokratike të thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha dhe miratuar nga Kryesia e selisë blu.
Ndërkohë, përsa i përket listës së folësve, gazeta “Panorama” mëson përmes burimeve se në Kuvendin e PD-së pritet që të marrë pjesë edhe ish-Presidenti Bamir Topi, i cili është parashikuar që të ngjitet edhe në podium për të folur. Gjithashtu i pranishëm pritet të jetë edhe një prej themeluesve të PD-së, Rexhep Uka, ky i fundit që ka më shumë se një dekadë që është larguar nga Partia Demokratike dhe shpeshherë ka qenë kritik i Sali Berishës.
Kuvendi i ditës së sotme, ndër të tjera, është edhe matje forcash përballë Sali Berishës, që sot organizon referendumin për shkarkimin e kryedemokratit Basha. E për të demonstruar forcë, organizatorët parashikojnë që veç mbushjes së sallës së Pallatit të Kongreseve dhe hollit, të mbushin edhe hapësirën e jashtme të Pallatit të Kongreseve.