Plastika është kthyer në një “gogol” për të gjithë botën, për shkak se ajo tashëm ka pushtuar tokë e det duke ndikuar në jetën e gjallesave dhe mjedisin e shtëpisë së madhe të njerëzimit, Toka. Plastika nuk ndikon vetëm te kafshët në tokë, por prek edhe jetën detare si breshkat e detit apo peshqit.
Në përpjekje për të parandaluar shkatërrimin që bën plastika në ekosistem, një ishull i vogël tropikal në Paqësorin Jugor i njohur Vanuatu, i ka shpallur luftë plastikës. Një komb i vogël, është duke u treguar më i guximshmi nga të gjithë vendet e botës dhe që prej 2018 ka ndaluar plastikat njëpërdorimshme në vend duke përfshirë qeset, pipëzat, gotat plastike dhe çdo gjë tjetër plastike që përdoret vetëm një herë.
Për të mbrojtur shkëmbinjtë nënujorë, pyjet, lumenjtë dhe jetën e saj të pasur detare, ky ishull tropikal ka ndaluar përdorimin e plastikës njëpërdorimshme. Më parë thuajse çdo gjë ishte e mbuluar nga plastika, por pas ndalimit duket se situata është përmirësuar ndjeshëm. Madje ndalimi i plastikës rriti edhe biznesin vendas të punimit të çantave tradicionale me kashtë, që përdoren për pazare nga banorët në vend të plastikës. Ndërgjegjësimi i njerëzve për dëmet që plastika bën në mjedis, i ka bërë ato më të përgjegjshëm për të kërkuar alternativa të reja që ta zëvendësojnë atë.
Kjo nisëm që filloi me ndalimin e plastikës njëpërdorimshme në 2018, duket se ka marrë një mbështetje të gjerë dhe në dhjetor të 2019 pritet që “listës së zezë” t’i shtohen edhe plastika të tjera si shishe uji, qeset e paketimit, pjata plastike etj.
Sigurisht që të gjithë janë të ndërgjegjshëm që plastika nuk mund të zhduket plotësisht pasi disa gjëra janë vërtet të nevojshme, por lufta ndaj atyre njëpërdorimshme apo që mund të zëvendësohen lehtësisht dhe pa kosto të mëdha nga materiale të tjera janë më se të mirëpritura në ishullin Vanuatu.