Italia me “artilerinë e rëndë”, Scamacca drejton sulmin ndaj Shqipërisë

Më të fundit


Në orën 21:00 të mbrëmjes, Italia dhe Shqipëria do të përplasin “brirët” në mitikun “Signal Iduna Park” të Dortmundid dhe të dy teknikët duket se kanë sheshuar idetë për formacionin titullar.

Braziliani Silvinjo tha në konferencën zyrtare para ndeshjes se 11 startuese është thuajse e sigurt, me vetëm 2 apo 3 dilema të vogla që do të shuheshin pas stërvitjes finale.


Edhe Luciano Spalletti në krahun tjetër duket se e ka gati formacionin e “Të Kaltërve”, që do të hidhen në fushë për të mbrojtur titullin e fituar 3 vjet më parë në Wembley. Përballë një Shqipërie me petkun e Seria A mbi supe, pasi gjysma e formacionit titullar aktivizohet me klubet italiane, Spalletti ka për detyrë vetëm të fitojë.

Për italianet, kuqezinjtë janë kundërshtari më i menaxhueshëm në Grupin B dhe mosmarrja e tre pikëve do ta komplikonte rrugëtimin drejt finales, ndaj Spalleti do të hedhë në fushë “arsenalin e rëndë”.

Me rikuperimin e Barella-s në mes, padyshim shumë i rëndësishëm, formacioni titullar i Italisë pritet të jetë ky: Donnarumma në portë, një mbrojtje me katër lojtarë me Di Lorenzo dhe Dimarco në krahë dhe dyshen e re të qendrës Bastoni-Calafiori, mesfushori i Interit dhe Jorginho në mesin e fushës dhe një trekëndësh interesant i përbërë nga Chiesa, Frattesi dhe Pellegrini që mbështesin Scamacca-n, të cilit do t’i besohet maja e sulmit.

Spalleti e shprehu edhe në konferencën për mediat se nga qendërsulmuesi i Atalantës pritet shumë. Edhe pse karakteristikat janë dukshëm të ndryshme, Scamacca shihet si Paolo Rossi i momentit, ai lojtar i bekuar nga Zoti pikërisht në mes të një kompeticioni kaq të rëndësishëm.

Tre vjet më parë, si në Kupën e fundit të Botës të fituar, Italia u mbështet në një grup graniti, por këtë herë sytë janë kthyer nga individët që mund të vendosin ndeshjen. Nga Scamacca i pari, e me radhë te Chiesa apo Pellegrini, nga Frattesi apo Barella, të gjithë njerëz me shpejtësi, cilësi dhe goditje preçize.




Skip to toolbar