E përditshmja italiane, Corriere Della Sera përmes një analize dënon vendimin e marrë nga BE për shtyrjen e çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa ka shigjetuar në veçanti presidentin francez Macron. Gazeta thekson se refuzimi i Macron për vazhdimin e zgjerimit të Unionit ndihmon rritjen e influencës ruse, kineze dhe turke në Rajonin e Ballkanit. Gazeta italiane shkruan se Europës i duhet të tregojë se është e aftë dhe avangarde dhe të mos përdoret si pasarelë për udhëheqës që kanë prioritet të dalin mirë në sondazhin e ardhshëm.
“Presidenti francez pengoi Bashkimin Europian të hapë negociatat për aderimin e dy vendeve. Shtyrja ndihmon Rusinë, Kinën dhe Turqinë që prej kohësh investojnë për të rritur influencat respektive në Ballkanin Perëndimor.
Për të zgjeruar influencat respektive në Ballkanin Perëndimor, Rusia, Kina dhe Turqia investojnë para dhe energji. Emmanuel Macron, që synon të duket një strateg largpamës, bëri që Bashkimi Europian të kthehet një hap mbrapa në kontributin për ta bërë më të sigurtë atë pjesë të botës, të prirur për tronditje dhe shumë afër nesh.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Europës, presidenti francez pengoi fiksimin e një date për hapjen e negociatave mbi pranimin e Shqipërisë dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian. U mbështet nga Danimarka dhe Holanda. Për qeverinë italiane Giuseppe Conte kundërshtoi shtyrjen.
Disa mund të mendojnë: ç’nevojë ka të shtohen vagonë të tjerë, kur treni komunitar rënkon dhe mund të humbë atë të Britanisë së Madhe? Nevoja ekziston. Negociatat për pranim zgjasin vite të tëra. T’i nisësh nuk do të thotë të fusësh shtetet ballkanike në BE tani. Do të thotë të nxisësh të dy të reformojnë më tej sistemet politike, juridike dhe ekonomike në drejtime të ndryshme në krahasim me ato të së shkuarës, të mbrojnë konkurrencën, të ridimensionojnë oligarki dhe monopole. Në këmbim do t’i ofronte shqiptarëve dhe maqedonasve – të qeverisur në shekullin e shkuar nga diktatura – prespektiva inkurajuese, stabilizuese, integrimi në tregun kryesor e unik të botës dhe në institucionet e saj politike.
Këtu qëndron problemi: refuzimi për hapjen e negociatave është një peshë në shpatullat e atyre që nga brenda shtyjnë dy vendet drejt BE-së. Dhe një ndihmë atyre që tentojnë t’i tërheqin në orbitat e Rusisë, Kinës, Turqisë. Promovuesit e shtyrjes duhet të reflektojnë. Mes të lëkundurit Donald Trump, të ekzagjeruarit Putin dhe imperializmit ekonomik kinez, botës i duhet një Europë e aftë të jetë në avangardë. Jo paserelë për udhëheqës të joshur të vendosin çdo gjë në funksion të pëlqimit që do të kenë në sondazhin e ardhshëm”, shkruan Corriere Della Sera.