Iu refuzua azili në Francë, riatdhesohen 173 shqiptarë

AKTUALITET


Policia Shqiptare në bashkëpunim me partnerët europianë, vijojnë riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që kërkuan azil në vende të ndryshme të BE. Sipas një njoftimi të Policisë së Shtetit, të martën u riatdhesuan nga Franca dhe vende të tjera në zonën Schengen, 173 shtetas shqiptarë.

Operacionet e riatdhesimit u realizuan në bashkëpunim me Frontex-in dhe Zyrën Franceze për Emigracionin. Në operacionin e parë u riatdhesuan 38 shtetas gjithsej, 5 prej të cilëve nga Belgjika dhe 33 nga Franca.  Në operacionin e dytë, që nis nga Lyoni i Francës, u kthyen vullnetarisht në total 135 shtetas.

“Policia e Shtetit apelon edhe një herë për të gjithë ata shtetas që udhëtojnë në hapësirën Schengen që të mos bëjnë asnjë përpjekje për të aplikuar për azil në Francë apo në çdo shtet tjetër të BE-së dhe të mos bëjnë asnjë shpenzim duke paguar ata që duan të përfitojnë duke i mashtruar se do t’u sigurojnë azil, pasi rezultati në të dyja rastet do të jetë negativ. Shqipëria është një vend i sigurt dhe shanset për të marrë azil janë zero”, thuhet në një njoftim të Policisë së Shtetit.



Skip to toolbar