Izeti, 23 akuza ndaj Berishës

AKTUALITET


Teksa na ndajnë shumë pak kohë nga ngritja e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Krimet e Rënda kanë hapur të martën letrat për ish-kryeministrin Sali Berisha. Gati një vit më parë, Izet Haxhia dorëzoi një padi kundër ish-kryeministrit Berisha, duke e akuzuar atë për plot 23 vepra të rënda penale. Ditën e martë Haxhia është thirrur në Prokurorinë për Krimet e Rënda për t’u marrë në pyetje mbi kallëzimin në fjalë. Ai ishte i vetëm përballë prokurorëve, ku ka dhënë mbi 5 orë argumentet e tij, shoqëruar me dokumente dhe prova mbi krimet e predispozuara të kryera nga Sali Berisha. Ndërkohë që, gazeta SOT mësoi se Haxhia do të thirret në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dëshmuar edhe të mërkurën dhe të enjten.

Disa nga akuzat ndaj Berishës


Gazeta ka siguruar padinë e plotë të Izet Haxhisë, i cili akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha se është i përfshirë në plot 23 ngjarje. Po kush janë 23 akuzat që rëndojnë mbi Berishën? Kështu, në padinë e siguruar nga gazeta, Izet Haxhia pretendon se Sali Berisha e ka urdhëruar atë për të bombarduar ambasadën amerikane në Tiranë, pas mosmarrëveshjeve që kishte ish-kryeministri në fund të pushtetit të parë. Por, Haxhia pretendon se nuk ka pranuar që ta zbatojë këtë urdhër. Sakaq, ish-truproja i Berishës akuzon këtë të fundit në organin qëndron të akuzës për eliminim e Azem Hajdarit dhe më pas organizimin e grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998, për marrjen e pushtetit me dhunë.

Gjithashtu Haxhia akuzon Berishën për vrasjen dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, përmes SHIK-ut nën drejtimin e Bashkim Gazidedes. Më tej, në padi Haxhia pretendon se ish-kryeministri është përgjegjës edhe për firmat piramidale, për hapjen e depove të armëve si dhe ka urdhëruar bombardimin e jugut të vendit. Sipas Haxhisë, Berisha kishte planifikuar edhe vrasjen e Skënder Gjinushit, të Sabit Brokajt, të Arben Imamit dhe Shaban Memisë. Po ashtu, në padi Haxhia akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha se ka paguar 1,000,000 euro për ta eliminuar atë në mërgim. Ndërkohë, në padi Haxhia akuzon ish-kryeministrin se është ideatori i ngjarjeve tragjike të ndodhura në 2 prill 1991 gjatë protestës masive në Shkodër, ku për pasojë mbetën të vrarë 4 personave të pafajshëm.

Gjithashtu, në padinë e siguruar nga gazeta, Haxhia akuzon Berishën se është ideatori i vrasjeve të ndodhura në 21 shkurt të vitit 1991 në shkollën e Bashkuar, një ditë pas rënies së bustit të diktatorit Enver Hoxha. Nga ana tjetër, në padi ish-truproja akuzon ish-eprorin e tij, Sali Berisha se është përgjegjës për vjedhjen e floririt në Kërrabë, ndërsa akuza hedh edhe për Presidentin Ilir Meta, të cilin e akuzon se vjedhjen finale të floririt e përfundoi vetë Meta. Ndërkaq, një tjetër ngjarje e rëndë për të cilën Haxhia akuzon Berishën se është përgjegjës, janë për një sërë vrasjesh tragjike në rrethin e Tropojës, sikundër ishte vrasja në Qafë Luzh, ku mbeti i vrarë Shkëlqim Haklaj./SOT




Skip to toolbar