Jo listat e hapura, koalicionet janë problemi…nga Eduard Zaloshnja

AKTUALITET


Shumë kanë folur e shkruar (ndër ta, edhe unë) për listat e hapura të kandidatëve për deputetë, qysh kur ato u futën në debatin publik nga deputetët rezervë të opozitës apo nga lëvizje qytetare. Por listat e kandidatëve për deputetë (sado të hapura apo të mbyllura të jenë ato) do të prodhojnë pak a shumë po ata deputetëtë që duan kryetarët e parive (të mëdha, apo të vogla qofshin). Edhe në listat më të hapura të munshme, partia është ajo që vendos se cila do të jetë lista që do paraqitet në KQZ për çdo qark. (Në rastin e listave vërtet të hapura, kryetari fut në listë disa kandidatë që e di paraprakisht se mund të fitojnë, e disa të tjerë që nuk marrin as votat e familjes…).

Problemi kyç për zgjedhjet e rradhës (e ndoshta edhe për zgjedhje pasardhëse) është, në fakt, mënyra e regjistrimit të koalicioneve në KQZ dhe llogaritja e mandateve brenda çdo koalicioni. Bylykbashi e Gjiknuri shkëmbejnë argumenta e silura vazhdimisht rreth kësaj në debate të drejtpërdrejta e të tërthorta, por për audiencën e gjerë, argumentat dhe silurat e tyre janë relativisht të vështira për t’u ndjekur.


Sidoqë të marrë fund debati Bylykbashi-Gjiknuri (në mbrojtje të interesave të partive respektive), një problem madhor i mënyrës së si parashikohent llogaritja e mandateve në Kodin Zgjedhor të 2008-ës duhet zgjidhur. Konkretisht, sipas atij kodi (që pritet të amendohet më 5 tetor) një parti e vogël, brenda një koalicioni të madh, mund ta sigurojë një mandat në një qark me gjysmën e votave që i duhen një partie tjetër të vogël, që nuk don të jetë në koalicion me partitë e mëdha. Kështu, PR-ja mund të marrë gjysmën e votave të BD-së së Astrit Patozit në Tiranë, dhe ta sigurojë mandatin vetëm pse është në koalicion me PD-në. (Kurse Astrit Patozi mund të mbetet pa mandat, vetëm pse nuk don të jetë në koalicion me PD-në…).

Kjo mënyrë llogaritje nuk duhet të ekzistojë më në Kodin Zgjedhor, sepse shkel në mënyrë flagrante barazinë e votës në çdo qark (me përjashtim ndoshta të Kukësit, ku vetëm dy partitë e mëdha kanë shans të marrin mandate). Për çështjet e tjera të Kodit Zgjedhor debati Bylykbashi-Gjiknuri le të vazhdojë, sepse shumë pak njerëz vërtet do ta kuptojnë…




Skip to toolbar