Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, duket se është pranë nënshkrimit të marrëveshjes për Brexit-in me Bashkimin Evropian pasi i ka bërë disa lëshime lidhur me kërkesat e BE-së për kontrollet kufitare në kufirin me Irlandën.
Sipas burimeve të larta britanike dhe evropiane, një draft i marrëveshjes mund të publikohet të mërkurën, nëse qeveria në Londër ia jep dritën e gjelbër traktatit të arritur paraprakisht.
Merret vesh se ekipet negociuese janë pajtuar në parim që të ketë kontrolle doganore në Detin e Irlandës. Një marrëveshje e ngjashme ishte refuzuar nga ish-kryeministrja May. Ajo kishte thënë se këtë marrëveshje nuk mund ta pranojë asnjë kryeministër britanik.
Megjithatë, kryeministrit britanik ende i nevojitet fitorja në kuvend ndaj disa grupe të deputetëve, përfshirë ata të Partisë Demokratike Unioniste dhe përkrahësve konservatorë të Brexit-it, për shkak se, sipas kësaj marrëveshjeje, Irlanda Veriore do të mbetet ligjërisht pjesë e territorit doganor të Mbretërisë së Bashkuar.
Kreu i qeverisë britanike do ta mbajë një mbledhje me kabinetin e tij të mërkurën në orën 16 sipas kohës lokale për të diskutuar lidhur me hapat e ardhshëm pas negociatave intensive me zyrtarët e Bashkimit Evropian.
Të martën, shefi i BE-së për negociata të Brexit-it, Michel Barnier, i kishte dhënë afat deri në mesnatë kryeministrit Johnson që t’i pranojë kërkesat e BE-së rreth kontrolleve doganore, në të kundërtën do të mbetej pa ndonjë propozim tjetër, shkruan “The Guardian”.