Nesër, në orën 17:00, në “Loro Boriçi” të Shkodrës do të luhet kryesfida e javës së 8-të të Superiores, Vllaznia-Partizani. Dy skuadra me mjaft emër në futbollin tonë, që kanë disa hesape për të larë, me siguri, ndër të cilat edhe të freskëta. Kuqeblutë i kanë “sabotuar” kampionët në fuqi dy sezone radhazi për ta fituar titullin, ndërsa “demat” iu dhanë shkodranëve goditjen përfundimtare drejt Kategorisë së Parë, në fund të sezonit 2017-2018. Me këto “pikëtakime” jo fort të këndshme është njohur edhe trajneri Mirsad Jonuz, që në konferencën për shtyp ka vlerësuar kundërshtarin, por ka kërkuar bashkim të të gjithë faktorëve në Shkodër, për të fituar.
“Na pret një ndeshje e fortë. Partizani ka një organikë të mirë lojtarësh, bashkë me trajnerin. Ne vijmë pas dy fitoresh, kemi një situatë të mirë psikologjike në të gjitha drejtimet. Është një situatë ndryshe nga ajo pas Tiranës dhe Bylisit. Kemi luajtur 7 ndeshje kampionat dhe të gjithë lojtarët janë në maksiumimin e tyre. Nesër presim sa më shumë tifozë në stadium dhe shpresoj të dalim të gjithë të lumtur. Kërkoj nga lojtarët e mi që të japin më të mirën. E kam parë “live” Partizanin ndaj Laçit, kam studiuar edhe disa video të ndeshjeve të tjera të tij. Gjithë javës kam folur me lojtarët e mi për këtë kundërshtar. Nesër besoj se do të kemi një surprizë ndaj Partizanit”, tha Jonuz.
Duke vijuar me “surprizën”, Jonuz nuk ka parapëlqyer ta zbulojë që para ndeshjes, por vuri në dukje se do të ketë një situatë ndryshe ndaj Partizanit. “Natyrisht, pres çdo gjë, sepse Partizani është një skuadër profesioniste, me trajner profesionist. Kam parë se e ndryshon shpesh taktikën. Një herë luan me katër mbrojtës, pastaj me tre mbrojtës, ndonjëherë me tre sulmues. Shumë lojtarë mund t’i përdorë në pozicione të ndryshme. Kam një mesazh për lojtarët dhe tifozët tanë: të kemi sa më shumë vetëkontroll. Lojtarët të jenë sa më të qetë, bashkë me tifozët. Sidomos 20 minutat e para do të jenë shumë të rëndësishme”, u shpreh trajneri.
Megjithatë, sipas tij nuk ka vend për eufori, pasi është një ndeshje e rëndësishme. “Marrim të njëjtat pikë, si me Partizanin, Kukësin, Flamurtarin e Laçin. Fitorja nesër do të ishte shumë e rëndëeishme, si për mua, skuadrën dhe qytetin. Kam ndryshuar komplet skemën me Kukësin, gjithashtu në ndeshjet e tjera. Vllaznia ka shumë lojtarë, që luajnë në pozicione të ndryshme, kjo është e rëndësishme. Nuk është i rëndësishëm Çinari te Partizani, që nesër vjen si kundërshtar, as Hasani te Tirana e çdo lojtar tjetër, por skuadra. Nuk luan një lojtar, por e gjithë skuadra. Unë nuk kam presion, as skuadra dhe lojtarët. Fundja, pse duhet të kemi? Ky është fillimi i kampionatit. Pritshmëritë? Janë në varësi të lojës, si do të shkojë ndeshja, por dua të fitoj”, u shpreh ai.