Seferi: Dëgjova zemrën për Shqipërinë

SPORT


Taulant Seferi, 22 vjeç, pati grumbullimin e tij të parë me kombëtaren e Shqipërisë. Po flasim për kombëtaren e parë kuqezi, jo atë U-21, ku djaloshi nga Kumanova ka luajtur me shumë sukses. Lojtari në fjalë foli për faqen zyrtare të klubit të tij në Zvicër, Xamax, ku zbuloi se çfarë po ndodh në këtë moment të karrierës së tij. Edhe pse iu desh të qëndronte në stol ndaj Turqisë dhe Moldavi, i riu e shijoi aventurën e parë me kombëtaren shqiptare:

“Kam provuar shumë kënaqësi në këtë eksperiencë, jam takuar e stërvitur me lojtarët e kombëtares. Ishte një përvojë e mirë për mua, një javë me të vërtetë shpërblyese. Shpresoja të luaja, por kjo varet nga trajneri, që zgjedh formacionin. Sidoqoftë, unë do ta ruaj si një kujtim të shkëlqyer grumbullimin tim të parë në ekipin e parë. Shpresoj të thirrem sërish në ekipin kombëtar”.


I lindur në Maqedoninë e Veriut, Taulant Seferi ka kombësi të dyfishtë, por ai zgjodhi të përfaqësojë Shqipërinë: “Unë luajta me të rinjtë e Maqedonisë, por më pas dëgjova zemrën”. Në vendin e tij të lindjes e nisi rrugëtimin si futbollist. Deri 15 vjeç luajti në klubin e qytetit të tij, Milano i Kumanovës. Pastaj, në moshën 16 vjeç, nënshkroi kontratë profesionale me Rabotnicki të Shkupit, ku fitoi kampionatin dhe kupën e Maqedonisë. Një vit e gjysmë më vonë rekrutohet nga Young Boys, i cili e huazon te Wohlen, W/interthur dhe, këtë sezon, te Neuchâtel Xamax FCS.

Kjo e shtunë do të jetë pak e veçantë për sulmuesin, që do të rikthehet në “Stade de Suisse”, si kundërshtar i YB: “Jam shumë i lumtur që do të luaj në Bernë dhe shpresoj të dalim me një rezultat të mirë. Unë e respektoj Young Boys, por sot jam duke luajtur për Neuchâtel, ndaj jap maksimumin për të. Ky është futbolli; si profesionist duhet të jap gjithçka për ekipin ku luaj”.




Skip to toolbar