Një ditë më parë, deputetja demokrate Jorida Tabaku zhvilloi një takim me ish-ambasadoren e SHBA në Shqipëri Yuri Kim dhe me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Esocbar. Lidhur me këtë u diskutua mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla.
Analisti Artur Zheji theksoi se Tabaku shihet si kandidatura që ka marrë mbështetjen e SHBA-ve për të drejtuar PD-në.
Sipas Zhejit, Tabaku ka ditur të mbrojë figurën e saj dhe se ka sakrifikuar duke ndenjur në errësirë për një kohë të caktuar. Ai shtoi se Jorida është parë si një mundësi edhe në PD.
“Duke llogaritur që SHBA kanë ndezur motorët edhe për fushatën elektorale, vëmendja që i jepet Joridës në departament mendoj se është e spikatur dhe enkas e tillë. Një mesazh i dekoduar, është zgjedhja jonë opsionale.
Mendoj që është një fotografi që e parashuton ose katapulton se ‘kini kujdes se kjo zonjë ka bekimin tonë’. Është e vetuar, dhe kjo është se nëse ju shkoni drejt zgjedhjes së saj, meqë po kërkohet një federim i partisë. Është kandidura amerikane për PD e federuar. Tabaku nuk ka dalë nga grupi i Bashës, nuk është me Lulzim Bashën. Ka një figurë shumë më hibride por e ka mbajtur me klas dhe jo si Gazi. E ka mbajtur duke u sakrifikuar edhe në errësirë. Ka ndenjur edhe në gjysmë errësirë, jo që të kapë gjithmonë planin e parë si Gazi, se ai ka një sëmundje foshnjore e politik anit të ri që do të dalë gjithandej. Kurse Jorida ka dalë shumë më rrallë. Ka dalë e paqartë por e qartë në paqartësinë e saj. Pra nuk është me Berishën, nuk është kundër Berishës. Nuk është me Bashën, nuk është kundër Bashës. Nuk është as me Bardhin dhe është përgatitur si një kandidaturë. Jorida ka qenë gjithmonë një gur rezerv në disa qarqe intelektuale të PD që në rastin e një krize të madhe, Jorida është një kartë që luhet mbi palët. Nëse Berisha dhe Basha do të dilnin nga skena politike, Jorida mund të hynte nëse do të kishim një parti utopike dhe jo për interesa të individëve.“, theksoi Zheji.