“Ka marrë 500 mijë euro”, gjyqtarja Irena Gjoka kërkesë SPAK: Hetoni deklaratat e Argita Berishës

AKTUALITET


Ish-kryetarja e GJKKO, Irena Gjoka, njëherazi edhe gjyqtarja që caktoi masat e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe “arrest në burg” për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, ka kërkuar nga SPAK që të hetojnë deklaratat e Argita Berishës e cila e akuzon gjyqtaren se është korruptuar me 500 mijë euro.

Tashmë që dosja e aferës Partizani është dërguar për gjykim në SPAK dhe Gjoka nuk mund të jetë pjesë e trupit gjykues, siç e parashikon ligji, gjyqtarja përmes një relacioni dërguar SPAK, kërkon që të hetohet mbi këto deklarata të Argitës. Burime për Report Tv thonë se gjyqtarja Gjoka kërkon hetime të thelluara nga SPAK për këto akuza publike që vajza e ish-kryeministrit ka bërë ndaj saj.

Gjatë një konference për shtyp të zhvilluar në datën 23 shtator 2024, Argita Malltezi deklaroi se të paktën 17 prokurorë dhe gjykatës të strukturës së posaçme janë në dosjen e “Encrochat”. E madje, sipas Argitës “gjyqtarja Gjoka del në një video, duke i kërkuar një ish-eksponenti të PS 500 mijë euro që rë mos e fuste në grup të strukturuar kriminal.”

“Nga burime joformale dhe të pakonfirmuara, çka do të thotë se nuk e kam parë me sytë e mi. Ajo që dihet nga të gjithë, besoj edhe nga gazetarët, gjyqtarë dhe prokurorë të SPAK, 17 veta rezultojnë në dosjen e Encrochat të përfshirë. 17 veta nga gjyqësori special, përveç të tjerëve.

Pyetja që duhet të bëni është pse nuk del kjo gjë? Gjyqtarja e çështjes, Irena Gjoka pretendohet se gjithashtu është në një video, a është e vërtetë, nuk e di, mua më thonë që është në një video të marrë nga një aparat celular i një gazetari të larguar nga Shqipëria, në të cilin ajo rezulton e filmuar duke biseduar me një ish-eksponent të Partisë Socialiste duke negociuar për tarifën që i kërkon prej 500 mijë euro për të mos e futur në grup të strukturuar kriminal. Duhet të na thotë SPAK nëse është apo jo e vërtetë kjo”, pati deklaruar Argita.



Skip to toolbar