Kushtetuesja, KED i thotë “Jo” dy herë Zhaklina Petos

AKTUALITET


Në mbledhjen e datës 9 shtator, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ka vendosur të ndalojë kandimin e Zhaklina Petos si kandidate për dy vende vakante në Gjykatën Kushtetuese. KED ka vendosur të ndalojë kandimin e Zhaklina Petos në të dyja vakancat e shpallura nga Presidenti i Republikës në datën 7 shkurt të vitit 2018. Konkretisht, Zhaklina Peto nuk mund të kandidojë as për vakancën e plotë e as për vakancën e parakohshme, për t`u zgjedhur si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

“Ndalimin e kandidimit të kandidates Zhaklina Peto për vendin vakant të gjyqtarit në Gjykatës Kushtetuese, vakancë e plotë, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018; Ndalimin e kandidimit të kandidates Zhaklina Peto për vendin vakant të gjyqtarit në Gjykatës Kushtetuese, vakancë e parakohshme, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018”, shkruhet në njoftimin e KED.

Ndonëse vendimi i zbardhur ende nuk është bërë i ditur, ndalimi i kandidimit të Zhaklina Petos për Gjykatën Kushtetuese, lidhet me konfliktin e interesit. KED nisi verifikimet për kandidaten Peto pak kohë më parë, pasi Gjykata e Apelit Administrativ i dha të drejtë Zhaklina Petos për të vijuar kandidimin. Më herët, KED i kishte ndaluar kandidimin gjyqtares Peto, për shkak të problemeve të konstatuara me pasurinë.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi ndalimin e kandidimit të Zhaklina Petos për të dyja vakancat më 2 gusht 2019. Sipas vendimit të zbardhur, ajo u ndalua të kandidonte për shkak se dështoi të kalonte me sukses procedurën e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së saj dhe të familjarëve. Lidhur me kontrollin e pasurisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi administroi raportin e ILDKPKI-së, i cili vlerësonte se Peto “nuk kishte kryer deklarim të saktë, ka mungesë dokumentacioni ligjor për burimin e pasurisë si dhe ka mosdeklarim të tyre”.

Sipas ILDKPKI, Peto ka deklaruar pronësinë mbi një apartament me sipërfaqe 130 m2 në rrugën “Ismail Qemali” në Tiranë, por nuk ka deklaruar shtesën e apartamentit që ka gjithashtu sipërfaqe prej 130 m2, nga të cilat 64 m2 janë verandë. Për këtë pasuri, ILDKPKI konstaton gjithashtu se subjekti ka mungesë dokumentacioni justifikues në lidhje me shpenzimet dhe burimin financiar të shtesës, ka mungesë dokumentacioni për 80 mijë dollarë të deklaruara si dhuratë nga prindërit si dhe vlera e deklaruar prej 3.9 milionë lekësh për blerjen e apartamentit dhe tarracës në vitin 2000 gjykohet të jetë e ulët.

ILDKPKI ka konsideruar gjithashtu të dyshimtë transaksionin e shkëmbimit të një apartamenti 110 m2 me një apartament 156 m2. Sipas ILDKPKI, apartamenti i shkëmbyer është blerë për rreth 117 mijë euro në vitin 2017 dhe është shitur për 170 mijë euro një vit më vonë. Një transaksion i ngjashëm është evidentuar edhe në vitin 2013, ku Peto sipas ILDKPKI deklaron se ka blerë një makinë për 500 mijë lekë, të cilën e ka shitur katër vite më vonë për 13 mijë euro.



Skip to toolbar