Policia e Tiranës ka arrestuar një 39-vjeçar, në Kamëz, i cili ishte nisur drejt Shkodrës me një “Ford” me gjashtë shtetas nga Iraku e Siria, për t’i kaluar në mënyrë të paligjshme në kufi, duke iu marrë vlera të caktuara parash.
Zbulimi i këtij rasti mësohet se është bërë nga antikrimi i Komisariatit të Kamzës, në bashkëpunim me antitrafikun, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas me një automjet tip “Ford” po transportonte në drejtim të Shkodrës disa shtetas të huaj kundrejt fitimit me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit”. Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit I. Q., 39 vjeç, banues në Bathore-Kamëz.
Ky shtetas u kap në rrugën “Demokracia” në Kamëz nga shërbimet e policisë të Komisariatit Nr.5 Kamëz, duke transportuar në drejtim të Shkodrës 6 emigrantë të paligjshëm. Emigrantët e paligjshëm, tre nga Siria dhe tre nga Iraku iu dorëzuan në Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Tiranë, për veprime të mëtejshme.