Korrupsioni shkarkon 5 policë rrugorë, 1 në pranga dhe 2 në arrest shtëpiak

AKTUALITET


SHÇBA, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës ka ekzekutuar vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për 5 punonjës policie dhe 1 shtetas për korrupsion, ku një prej policëve është arrestuar, dy janë lënë në arrest shtëpiak, ndërsa dy të tjerë janë pezulluar nga detyra.

Drejtoria e SHÇBA-së Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, bënë të ditur se kanë kryer hetime në kuadër të procedimit penal të vitit 2019 regjistruar për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, , në ngarkim të punonjësve të policisë së Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë.

Në përfundim të aplikimit të metodave speciale të hetimit janë grumbulluar prova paraprake, mbi bazën e të cilave Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur masën e sigurimit “Arrest me burg” për punonjësin e policisë Fiqiri Xhani, 58 vjeç, nga Tirana.

Sipas policisë, duke u nisur nga rrethanat familjare referuar të dhënave të gjendjes civile (fëmijë nën moshën 3 vjeç), gjykata ka vendosur “arrest shtëpiak” për punonjësen e policisë Afinisa Metani, 25 vjeçe, nga Tirana.

Po ashtu “arrest në shtëpi” është lënë për punonjësin e policisë Bujar Allko, 48 vjeç, nga Tirana, ndërsa janë pezulluar nga detyra Emiljano Kaçeli, 28 vjeç dhe Florian Dimraj, 38 vjeç. Policia tha se ka vendosur “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për Fatjon Lugën, 35 vjeç, nga Tirana, i dyshuar për veprën penale të “korrupsionit aktiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”.



Skip to toolbar