Policia e Tiranës ka parandaluar vrasjen e dy personave, duke kapur pak minuta para krimit në flagrancë dy veta që ishin nisur për të kryer krimin me kallashnikov. Krimi është parandaluar në Kamëz, ku në pranga kanë përfunduar dy personat nga Valias, B. S., 40 vjeç dhe S. S., 39 vjeç , i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje .
“Shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr. 5 Tiranë, pas marrjes së informacionit se në Valias po ndodhte një konflikt i ashpër midis disa personave, organizuan menjëherë punën dhe me veprimet e shpejta dhe profesionale bënë të mundur parandalimin e mëtejshëm të këtij konflikti duke arrestuar në flagrancë dy prej agresorëve, të cilët lëviznin të armatosur me një makinë Porsche. Gjithashtu falë veprimeve të shpejta është bërë e mundur edhe bllokimi i armës së zjarrit Kallashnikov me dy karikatorë me fishekë, me të cilën këta dy shtetas dyshohet se do vrisnin dy shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt”, deklaroi policia e Tiranës, ndërsa vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij krimi dhe motiveve të tij.