Basha mbron Hilën e shkarkuar, Hila e shet: Dhuna jo nga unë, por nga PD

AKTUALITET


Kreu i PD Lulzim Basha ka marrë në mbrojtje Kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila, i cili u shkarkua me vendim të Këshillit të Ministrave për incidentin e rëndë në Bushat, ku u dogjën materialet zgjedhore dhe u plagosën tre punonjës policie. Kreu i opozitës, në një deklaratë të shkurtër për shtyp deklaroi se Zef Hila nuk ka qenë as fizikisht dhe në asnjë mënyrë tjetër i përfshirë në incidentin e djeshëm në Vaun e Dejës, ndërsa vetë bashkiaku kishte deklaruar më herët se protestat janë organizuar nga PD dhe jo nga bashkia.

“Është hakmarrje personale politike, kundër një përfaqësuesi të ligjshëm, të denjë të njerëzve. Është vendim personal i Edi Ramës që përdor Këshillin e Ministrave si fasadë, dhe mercenarin Sandër Lleshi, një njeri i pa zgjedhur, i pa votuar, pa asnjë përfaqësim, për ta ndërsyer kundër njerëzve dhe opozitës. Nuk ka asnjë motiv dhe nuk ka asnjë arsye për shkarkimin e tij. Zef Hila nuk ka qenë as fizikisht dhe në asnjë mënyrë tjetër i përfshirë në incidentin e djeshëm në Vaun e Dejës. Shkarkimi është një akti kriminal i një autokrati të kriminalizuar që tani po përdor forcën e pushtetit vetëm për të mbrojtur bashkësundimin e tij me krimin”, tha Basha.


Por, e vërteta sipas urdhrit të Bashës për organizimin e punës të strukturave të opozitës, i cili u publikua të enjten në mbrëmje nga realstory.al, qëndron ndryshe, pasi bashkëkryetarë për shtabet e ngritura nga PD për periudhën 28 qershor deri më 2 korrik në bashkitë që drejtohen nga e djathta, janë kryetari i Bashkisë dhe kryetari i degës së PD. Pra, pavarësisht deklaratës së Bashës, rezulton se Hila është bashkëkryetar për shtabin e ngritur nga opozita.

Më herët kryeministri Rama ka firmosur shkarkimin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës Zef Hila për sulmin në KZAZ-në e Bushatit, ndërsa njofton se ai do të “ndiqet penalisht, për aktin barbar të djegies së shkollës dhe djegies së materialeve zgjedhore! Kush do ta ndjekë shembullin e tij, do të ketë të njëjtin fat dhe do të përballet me drejtësinë”, shkruan Rama.

Ndërsa Hila thotë se nuk ka qenë pjesë e protestës dhe se zjarrin e ka vënë shtabi i PD-së.

Në një intervistë për Report TV, Hila tha se organizator i protestës ka qenë Aleanca Qytetare për mbrojtjen e Demokracisë, pra shtabi i ngritur nga PD.

“Unë nuk e kam dëgjuar. Unë nuk kam asnjë lloj informacion por di që protestat në Vaun e Dejës kanë qenë të qeta dhe nuk ka pasur incidente. Protesta e djeshme nuk është organizuar nga Bashkia e Vaut të Dejës, por nga Aleanca për Mbrojtjen e Demokracisë të Vaut të Dejës. Unë e them me përgjegjësi të plotë se nuk jam marrë me organizim të protestës. Porositë kanë qenë që protestat të jenë të qeta dhe paqësore. Unë jam kryetar i bashkisë, i zgjedhur. Nuk kam qenë pjesë e protestës. Të gjitha ata kanë protestuar si qytetarë të lirë. Ata kanë të drejtën e tyre. Aq më tepër kemi një dekret të presidentit dhe çdo njeri ka të drejtën e tij. Të gjitha kanë qenë jashtë orarit të punës. Ministri është dizinformuar në raport me kryetarin e bashkisë”, tha Hila.

Një ditë më herët PD dhe LSI u distancuan nga sulmet në KZAZ-në e Bushatit. Madje ata akuzuan qeverinë se e kishte organizuar sulmin për të inkriminuar opozitën. Por deklarata e sotme e Hilës rrëzon poshtë këtë qëndrim të opozitës dhe nxjerr zbuluar Bashën. Pra sipas tij sulmi në Bushat është organizuar nga shtabi i PD.

Pak më herët, ministri i brendshëm, Sandër Lleshaj njoftoi shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës. Ai tha se të njëjtin fat do të kenë të gjithë kryebashkiakët të cilët do të lejojnë punonjësit e bashkisë të sillen si forca të dhunshme paramilitare për të penguar zgjedhjet e 30 qershorit.




Skip to toolbar