Kapet në “befasi” vlonjati, fshihej prej një viti te “Ali Demi”

AKTUALITET


Një person i shpallur në kërkim nga policia e Vlorës për tentativë vrasjeje është arrestuar në kryeqytet gjatë një operacioni të koduar “Befasia”.

Specialistët e antikrimit në komisariatin nr. 1, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një person në kërkim nga Vlora fshihej në një pallat në lagjen “Ali Demi” dhe falë një pune të mirëorganizuar në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme të këtij Komisariati, zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar  “Befasia”.

Si rezultat i operacionit në orët e vona të mbrëmjes së djeshme u bë e mundur kapja e personit në kërkim T. M., 29 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë.

Ky person ishte shpallur në kërkim, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Vlorë më datë 18 shtator 2018 ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Apelit Vlorë, e cila ka vendosur masën e sigurisë nga “Arrest në shtëpi” në atë me “Arrest me burg” për  veprat penale “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.



Skip to toolbar