Nuk ndalet Rashica, 3 gola në 8 ditë

SPORT


Milot Rashica gjeti rrjetën për herë të tretë në harkun e vetëm tetë ditëve, megjithatë ekipi i tij nuk shkoi përtej barazimit 2-2 në ndeshjen e luajtur në shtëpi me ekipin e Freiburgut. Pas golave të shënuar ndaj Leverkusen në kampionat dhe Haidenhaim në Kupë, futbollisti kosovar shënoi përsëri golin e parë për bardhjeshilët.

Këtë herë në Bremen në “Weserstadion” përpara 41.000 spektatorëve 23-vjeçari nga Vushtrria falë shpejtësisë së tij la prapa mbrojtësit kundërshtarë, për të mposhtur portierin holandez Flekken me një të djathtë të kalibruar në hyrje të zonës.


Për fatin e tij të keq sfida e Werder u mbyll sërish me vetëm 1 pikë, pasi vendasit pësuan në mënyrë naive në sekondat e fundit të takimit, njësoj si edhe në tre ndeshjet e mëparshme të këtij edicioni të Bundesligës, ku kurioz është fakti se çdo herë që ia del të shënojë Rashica klubi nga Werder e përfundon takimin në barazim, sidoqoftë goli i gjashtë sezonal për lojtarin e përfaqësueses dardane, 4 në Bundesligë dhe 2 në Kupën e Gjermanisë.




Skip to toolbar