Kryeministri Rama, në konferencën përballë gazetarëve, ka zgjedhur që çdo pyetjeje për Ilir Metën t’i përgjigjet me batuta, duke i çuar mesazhe ironike kreut të shtetit, që nga teatri e ngritja e SPAK, ndërsa ka theksuar se për shkarkimin e Presidentit, mazhoranca po pret mendimin e Komisionit të Venecias. Po ashtu, ai u është përgjigjur akuzave të Metës dhe opozitës për kapjen e drejtësisë, duke u shprehur se nëse është kapur drejtësia prej tij, atëherë ka kapur SHBA-në dhe BE-në dhe në këto kushte opozita e ka të humbur betejën.
“Ne e kemi çuar çështjen për trajtim nga Komisioni i Venecias për të pasur një proces të mirëkuptuar dhe të qartë për të gjithë komunitetin e miqve dhe partnerëve. Do të presim edhe raportin edhe pastaj do të gjykojmë mbi bazën e raportit, nuk mund të them nëse kështu apo ashtu”, tha Rama ndërsa shtoi me ironi se “nuk ishim të detyruar ta çonim te Komisioni i Venecias”, por sipas tij tani do pritet mendimi i tyre.
Më tej, kreu i qeverisë ironizoi Presidentin Ilir Meta edhe për alarmin për tërmetin apokaliptik, ndërsa iu përgjigj pyetjet për Teatrin Kombëtar. I pyetur se përse shumica nuk pret vendimin e Kushtetueses për ligjin për Teatrin ai tha me batutë se “Për të njëjtën arsye që nuk presim dot tërmetin”.
Po ashtu, Rama i dërgoi një mesazh kreut të shtetit dhe opozitës, të cilët e akuzojnë për kapje të drejtësisë. “Është shumë e vështirë të qeverisësh me një opozitë që këmbëngul çdo ditë të vrasë veten sesa me një opozitë që këmbëngul të të vrasë ty politikisht me ide, figura dhe ritëm. Sepse një opozitë inekzistente është një boshllëk që të pengon të gjesh të gjitha forcat që të bësh punën maksimalisht mirë. Nëse unë kam kapur SHBA-të, BE-në, atëherë nuk keni se çfarë bëni e keni humbur këtë betejë. Të thuash që mund të kapen SHBA-BE se ka një forcë të errët dhe se e gjithë kjo mund të ndodhë në Shqipëri, janë qesharake në rastin më të mirë, dhe shqetësuese në rastin më të keq. Kjo nuk është çështje frike dhe trimërie, as çështje Mic Sokolash, çështje veprash. Fjalët janë njëra anë, veprat janë ana tjetër. Unë kam qenë i vendosur për reformën në drejtësi. Ju keni parë shembull, aty ku hyn drejtësia ne hapin rrugën. Nuk është çështja të them, kam, s’kam frikë, jam trim, të dal me rroba banje, ti vërsulem ambasadës amerikane”, deklaroi Rama, duke kujtuar sulmet që Meta i bëri ambasadorëve të huaj në vendin tonë.