Rama mesazh Bashës, përgjigje Metës: Sulmet e tij, klinikisht shqetësuese

AKTUALITET


Nuk ka asnjë negociatë mes Ramës e Bashës për zgjidhjen e krizës në vend dhe as ndonjë nismë të ndërkombëtareve për të vendosur ura komunikimi mes tyre. Kryeministri Rama pasi tha këtë të martën në një konferencë të gjatë për shtyp, që zgjati fiks 2 orë, i dërgoi dhe një mesazh të qartë kreut të opozitës. “Nëse vazhdon kështu do të paketosh edhe zgjedhjet e 2021”. Kryeministri është i vendosur të mos i plotësojë opozitës kushtin parësor atë të largimit të Ramës nga drejtimi i qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme. Por ai është shprehur gati për dialog në respekt të kushtetutës dhe pa diskutuar në asnjë moment vullnetin e popullit të shprehur me votë. Ndërsa shtoi se nuk do të humbasë asnjë sekondë kohë për t’u marrë me Bashën dhe Kryemadhin.

“Kjo situatë nuk mund të vazhdojë të marri energjitë tona për këtë çështje. Jemi të gatshëm, të dialogojmë në çdo moment me opozitën, por nuk jemi të gatshëm që të dialogojmë për vullnetin e popullit të shprehur në votë. Nuk harxhoj kohën time dhe të njerëzve me këtë muhabet çdo ditë.


Ka shumë gjëra të rëndësishme për mua se sa të pres Bashën apo Kryemadhin që të kandisen për të folur. Është puna e tyre. Fokusi im nuk është kjo loja macja me miun e atyre që zgjodhën një rrugë  që për mua ka qenë e qartë që në fillim. Ja kam thënë në parlament kjo rrugë do t’ju çojë me keq se ç’jeni.

2021 është shumë më afër sesa i duket atyre. Nëse ata vazhdojnë kështu dhe disa muaj, 2021 e kanë paketuar me duart e tyre”, është shprehur Rama, teksa i bën thirrje Bashës të nisë të mendojë për zgjedhjet e 2021 se zgjedhje të tjera nuk ka.

Rama gjithashtu deklaroi se as në ëndrrën e tij me të keqe nuk e kishte menduar që opozita të katandisej në këtë situatë dhe se për të është shumë e vështirë të qeverisë me një opozitë të tillë.

“As në ëndrrën më të keqe nuk e kam parë opozitën të katandiset kështu. Është shumë më e vështirë të qeverisësh me një opozitë që këmbëngul çdo ditë të vrasë veten, se sa me një opozitë që këmbëngul të vrasë ty me ide, me ritëm. Është më e vështirë se është një boshllëk që të pengon të gjesh forcat e nevojshme të bësh punën”, tha Rama.

Ndërsa përsa i përket sulmeve të presidentit, për kapjen e reformës në drejtësi, kryeministri është shprehur se këto sulme janë klinikisht shqetësuese, ndërsa sqaroi reforma në drejtësi është bërë nga SHBA dhe BE dhe se deklaratat e Metës për “deep state” janë në rastin më të mirë qesharake dhe në atë më te keqin çmenduri e presidentit.  

“Nëse unë kam kapur SHBA dhe BE, atëherë s’keni çfarë bëni e keni humbur këtë betejë. Pra ka një forcë të errët deep. Unë kam kapur SHBA dhe BE. Janë gjëra qesharake dhe janë klinikisht shqetësuese në rastin me të keq. Nuk është çështje frike, apo Mic Sokolësh. Aty ku hyn drejtësia ne hapim rrugën. Jo tani të dalim me rroba banjo dhe të sulmojmë ambasadën amerikane.

Kjo është çështje veprash. Unë kam qenë që ditën e parë për të bërë një reformë në drejtësi ku ne të miratojmë çdo gjë që komisioni dhe ekspertiza ndërkombëtare do të na sillte në tavolinë”, është shprehur Rama.

Deklarata e tij vjen si përgjigje e akuzave të bëra në vazhdimësi nga presidenti Meta i cili ka akuzuar  ambasadën e SHBA dhe Ramën se kanë kapur reformën në drejtësi duke krijuar një shtet paralel.

Siç duket kryeministri ka vendosur të mos merret më as me opozitën dhe as me presidentin, por të përqendrohet te pushteti i fituar në 30 qershor, ku mori drejtimin e 60 bashkive në vend dhe synimi i tij janë fitorja e një tjetër mandati, ajo e zgjedhjeve të 2021.  

Rama: S’ka negociata me Bashën, i pres në dialog

Kryeministri Rama ka mohuar që të ketë një iniciativë të ndërkombëtarëve për një komunikim me Bashën për zgjidhjen e krizës politike. Ai ripërsëriti ftesën për dialog për kreun e opozitës, por shtoi se nuk ka kohë për t’i pritur.

“Asnjë komunikim me Bashën përmes ndërkombëtarëve. Situata nuk mund të vijojë të marrë energjitë e mia dhe tonat për këtë çështje. Ne e kemi dhënë qëndrimin, jemi gati të dialogojmë në çdo moment me opozitën jashtë parlamentare, por jo të negociojmë asgjë që lidhet me vullnetin e popullit të shprehur me votë. Nuk jam gati të harxhoj kohën me këtë muhabet çdo ditë. Ka gjëra më të rëndësishme për mua sesa të pres Bashën apo Kryemadhin që të kandisen për të folur”, deklaroi Rama.

Madje, ai kërkoi në distancë nga lideri i opozitës se duhet të nxitojë, pasi viti 2021 nuk është larg, duke nënkuptuar se ai nuk tërhiqet për zgjedhje të parakohshme. “Nuk kam asnjë paragjykim asnjë kusht, duan të ulen dhe të diskutojnë të ardhmen, 2021 është shumë afër sesa i duket atyre dhe nëse ata vijojnë kështu, edhe disa muaj, 2021 e kanë paketuar sërish me duart e tyre”, deklaroi Rama para gazetarëve në konferencën për bilancin e qeverisë.

“Kapja e drejtësisë”, Rama: Nëse kam kapur SHBA e BE, betejën e keni të humbur

Kryeministri Rama, në konferencën përballë gazetarëve, ka zgjedhur që çdo pyetjeje për Ilir Metën t’i përgjigjet me batuta, duke i çuar mesazhe ironike kreut të shtetit, që nga teatri e ngritja e SPAK, ndërsa ka theksuar se për shkarkimin e Presidentit, mazhoranca po pret mendimin e Komisionit të Venecias. Po ashtu, ai u është përgjigjur akuzave të Metës dhe opozitës për kapjen e drejtësisë, duke u shprehur se nëse është kapur drejtësia prej tij, atëherë ka kapur SHBA-në dhe BE-në dhe në këto kushte opozita e ka të humbur betejën.

“Ne e kemi çuar çështjen për trajtim nga Komisioni i Venecias për të pasur një proces të mirëkuptuar dhe të qartë për të gjithë komunitetin e miqve dhe partnerëve. Do të presim edhe raportin edhe pastaj do të gjykojmë mbi bazën e raportit, nuk mund të them nëse kështu apo ashtu”, tha Rama ndërsa shtoi me ironi se “nuk ishim të detyruar ta çonim te Komisioni i Venecias”, por sipas tij tani do pritet mendimi i tyre.

Më tej, kreu i qeverisë ironizoi Presidentin Ilir Meta edhe për alarmin për tërmetin apokaliptik, ndërsa iu përgjigj pyetjet për Teatrin Kombëtar. I pyetur se përse shumica nuk pret vendimin e Kushtetueses për ligjin për Teatrin ai tha me batutë se “Për të njëjtën arsye që nuk presim dot tërmetin”.

Po ashtu, Rama i dërgoi një mesazh kreut të shtetit dhe opozitës, të cilët e akuzojnë për kapje të drejtësisë. “Është shumë e vështirë të qeverisësh me një opozitë që këmbëngul çdo ditë të vrasë veten sesa me një opozitë që këmbëngul të të vrasë ty politikisht me ide, figura dhe ritëm. Sepse një opozitë inekzistente është një boshllëk që të pengon të gjesh të gjitha forcat që të bësh punën maksimalisht mirë. Nëse unë kam kapur SHBA-të, BE-në, atëherë nuk keni se çfarë bëni e keni humbur këtë betejë. Të thuash që mund të kapen SHBA-BE se ka një forcë të errët dhe se e gjithë kjo mund të ndodhë në Shqipëri, janë qesharake në rastin më të mirë, dhe shqetësuese në rastin më të keq. Kjo nuk është çështje frike dhe trimërie, as çështje Mic Sokolash, çështje veprash. Fjalët janë njëra anë, veprat janë ana tjetër. Unë kam qenë i vendosur për reformën në drejtësi. Ju keni parë shembull, aty ku hyn drejtësia ne hapin rrugën. Nuk është çështja të them, kam, s’kam frikë, jam trim, të dal me rroba banje, ti vërsulem ambasadës amerikane”, deklaroi Rama, duke kujtuar sulmet që Meta i bëri ambasadorëve të huaj në vendin tonë.

Rama: Asgjë personale me Arben Malajn!

Grupi i PS-së ka kërkuar shkarkimin nga Bordi Mbikëqyrës të BSH-së të Arben Malajt. Kryeministri Rama tha se nuk ka asgjë personale. “E para lidhet me grupin parlamentar, pyesni deputetët që kanë kërkuar largimin e zotit Malaj. Ju se besoni jeni të lirë, por unë nuk lexoj, përveçse në raste të rralla që m’i rekomandon Fuga. Se cfarë mund të ketë thënë Malaj, nuk ma kanë rekomanduar për lexim. Nuk kam asgjë personale me askënd, as me atë dhe as më askënd. As me Bashën, por kam dicka personale, që e kam pozitive, por nuk di si ta ndihmoj”, tha Rama.

Arsyeja e largimit të Bushatit nga Shkodra

Rama u është përgjigjur interesimit të gazetarëve edhe për largimin e Ditmir Bushatit si koordinator i Shkodrës, pasi e hoqi edhe si Ministër i Jashtëm. “Për sa i përket Bushatit, nuk më rezulton që Ditmiri të ketë bërë ndonjë kritikë shqetësuese apo… mbase më ka shkëputur, por nuk ka lidhje. Organizimi i ri kërkon disa ritme energji dhe aftësi që bëjnë që të ketë disa ndryshime. Shkodra është prioritet për mua. Jam i vendosur që të bëjmë ndryshimin që kemi bërë në të tjera zona dhe pas këtij mandati të Valtrinit të jetë si në Vlorë. Vendosja e Valdrinit aty është se më duhet një person që të jetë aty çdo ditë, çdo natë si drejtues” deklaroi kreu i qeverisë, ndërsa pyetjes nëse do të ketë ndryshime në qeveri në shtator, kryeministri Rama e mohoi- “Jo, në parim jo, por nëse shfaqet një nevojë apo situatë që nuk e di sot, pastaj është diçka tjetër”.

Qeveria e re greke, Rama: Negociatat? Gjithçka mund të ndodhë

Kryeministri Rama ka komentuar ndryshimin e qeverisë në Greqi, por edhe për vendimin për negociatat në tetor, ku ka deklaruar se nuk përjashton asnjë version për vendimin. “Kemi bërë diskutime, negociata që janë çështje të së shkuarës. Me qeverinë e re duam të kemi vazhdim të dialogut për çështjet, miqësi, mirëkuptim, respekt. Është me rëndësi të intensifikojnë edhe për të vendosur pikat mbi ‘i’ për disa aspekte lidhur me të drejtat e minoritit grek në Shqipëri. Minoriteti është i shikuar si pjesë integrale e padyshim e bashkëjetesës sonë dhe pasuri. Për sa i përket negociatave. Vendimmarrja e Tetorit nuk ka lidhje me Shqipërinë, por dinamikat e brendshme në BE, është politik, nuk ka lidhje me vlerësim teknik objektiv. Gjithçka mund të ndodhë në tetor, nuk përjashtoj asnjë version”, tha ai.

Kryeministri Rama i është përgjigjur edhe deklaratave greke se ai kishte lidhje gjaku greke. “E para e punës, kam në dejet e mia një miks dhe nuk do të isha aspak i mërzitur nëse do të kisha edhe një pjesë të gjakut grek, por nuk kam asnjë qelizë, se kam pasur këtë, ndërkohë që kam ca rrjedha të tjera, ashtu sikur kam edhe rrjedha të brendshme nga Shkodra, në Mirditë në Berat, Vuno në Vlorë. Ortodoksët shqiptarë janë shqiptarë dhe grekët ortodoksë janë grekë. Gjithmonë qëllimi ka qenë marrëdhënia më të mira të mundshme”, u shpreh Rama.




Skip to toolbar