Policia ka ndaluar 50 klandestinë nga Kurdistani dhe Iraku të cilët ishin futur prej dy ditësh në territorin shqiptar në përpjekje për të shkuar në një shtet europian. Mes klandestinëve të cilët kanë braktisur atdheun e tyre vetëm për shkak të varfërisë ka gra dhe fëmijë. Ata kanë rrëfyer në polici se kanë rreth dy muaj që ecin në këmbë në përpjekje për kapërcyer kufirin drejt shteteve të BE-së për një jetë më të mirë.
Në këtë rrugëtim të vështirë, kanë pasur me vete edhe fëmijë të moshave 4-5 vjeç dhe gra, të cilët flenë rrugëve shpeshherë pa ushqim.
“Unë dua të shkoj në ndonjë vend europian, Itali, Francë, sepse atje mund të punoj, ndërsa vendi im është shumë i varfër, ka luftë. Atje mund të gjej një vend më të mirë se vendi im.
Ne nuk duam të rrimë në Shqipëri, duam të shkojmë në Evropë. Njerëzit këtu janë shumë të mirë, jo si turqit, por ne nuk duam të jetojmë këtu. Ne kemi ardhur këtu në këmbë”, shprehen disa prej tyre.
Të gjithë të ndaluarit tashmë ndodhen të shoqëruar në komisariat ndërkohë që do të kryhen të gjitha procedurat përkatëse.