Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka deklaruar në emisionin “Real Story” se vizioni nuk është ndërtimi i burgjeve të reja, por sistemi i strukturave të përqendruara.
Ai ka theksuar se për menaxhimin e burgjeve janë marrë masa të fuqishme dhe problem janë burimet njerëzore.
“Nuk është problemi të ndërtojmë burgje të reja, ne kemi një master plan deri në 2030 se ku duam të shkojmë. Madje, ne kemi mbyllur në 2022 katër burgje. Kemi mbyllur paraburgimin në Tropojë, në Sarandë, institucionin e Zaharisë, ku trajtoheshin të sëmurët me masa mjekësore dhe burgun e Vaqarrit.
Vizioni është që strukturat që kemi trashëguar nga sistemi komunist të shkojnë drejt standardeve më të mëdha dhe bashkëkohore. Ne kemi nevojë për struktura moderne dhe të përqendruara. Kjo është një anë tjetër e medaljes.
Askush nuk pyet sot se si menaxhohen dhe vështirësitë e këtij sistemi, askush nuk i intereson. Janë problem burimet njerëzore sot. Janë marrë masa të fuqishme nga ana jonë dhe nga ana e qeverisë, pagat e reja, sistemi i pagave, uniformat e reja, transporti i punonjësve të policisë, logjistika.
Të gjitha këto janë bërë të mundura brenda harkut kohorë të 2 vjetëve”, tha ministri./abcnews.al