Dy të rinj nga Shijaku kanë përfunduar në prangat e policisë, pasi dyshohen se dy ditë më herët kanë kërcënuar dhe qëlluar me armë katër persona në një lokal.
Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Shijak në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një pune hetimore kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 13.08.2019, identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët kanosën me armë zjarri 4 shtetas. Sipas policisë, janë ndaluar me iniciativë shtetasit J. Gj., 21 vjeç dhe E.B., 22 vjeç, të dy banues në Pjezë, Shijak.
Personat e ndaluar dyshohet se dy ditë më herët në një lokal në Gjepalaj, pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasit E.A., 22 vjeç, A.R., 21 vjeç, V.S., 20 vjeç, J.T., 22 vjeç, banues në Hardhishtë, Shijak i kanë kanosur dhe qëlluar me armë zjarri në ajër.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 gëzhoja model 56. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Kanosja “në bashkëpunim, “Prishja e qetësisë publike”, dhe ” “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit ” parashikuar në nenet 84, 25, 274 dhe 278 / 2 të Kodit Penal.