Bie skela përbri pallatit, vdesin 2 punëtorë, plagosen rëndë 3 të tjerë

AKTUALITET


Dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë nga një aksident i rëndë i ndodhur mesditën e së premtes në Tiranë, ku katër punonjës kanë rënë nga skela e një pallati 13 katësh, që po rikonstruktohej.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Rrugën e Elbasanit dhe paraprakisht u tha se 2 nga punonjësit janë në gjendje të rëndë, ndërsa dy të tjerët kanë mbetur nën rrënoja. Kanë qenë banorët ata që kanë lajmëruar ambulancën dhe policinë.


Ambulanca, policia dhe forcat zjarrfikëse kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku dy punëtorë kishin mbetur nën rrënoja. Policia ka siguruar perimetrin për të mos lejuar qytetarët të afrohen pranë vendit të ngjarjes, ku ka nisur puna për nxjerrjen e dy punonjësve nga rrënojat.

Spitali

Gjatë kohës që zjarrfikësit po nxirrnin nga rrënojat punëtorët, nga Spitali i Traumës u bë me dije se dy nga të plagosurit kanë marrë plagë të rënda në kokë dhe gjymtyrë. Një prej tyre është identifikuar paraprakisht si G. Bardhi, ndërsa tjetri si E. Lika.

Policia

Policia, e cila ka shkuar në vendngjarje, deklaroi se ngjarja është njoftuar rreth orës 15:00, ku rezulton se nga një ndërtesë në rikonstruksion është shkëputur një pjesë e skelës metalike. Si pasojë e shkëputjes së skelës janë dëmtuar 4 punëtorë, të cilët ishin duke punuar pranë këtij objekti. Dy prej tyre G. Bardhi, 44 vjeç dhe E. Lika, 34 vjeç, të cilët janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Më vonë në spital është dërguar edhe një punëtor i tretë, A. Marku, i cili është nxjerrë nga rrënojat.

“Dy punëtorë të tjerë i ka zënë skela poshtë  dhe rreth orës 15.30 është nxjerrë trupi i pajetë i njërit prej tyre. Policia e zjarrfikësja ka vijuar punën për nxjerrjen e personit tjetër, por sipas të dhënave, ai ka ndërruar jetë dhe janë dashur dy orë për ta nxjerrë nga skelat e rrënuara. Sipas policisë, dy punëtorët që kanë ndërruar jetë janë O. Kodra, 36 vjeç dhe E. Brahimaj, 31 vjeç”, deklaroi policia.

Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje, ku ka vijuar punën për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes. Sipas të dhënave, punonjësit po punonin për rikonstruksionin e fasadës së pallatit, kur janë rrë zuar skelat. Policia ka shoqëruar administratorin e punimeve  për veprime të mëtejshme dhe disa punonjës të tjerë. Dyshimi kryesor i kësaj ngjarje të rëndë është mosrespektimi i kushteve të punës.

Pas shoqërimit të disa përfaqësuesve të kompanisë që po kryente punimet, Prokuroria e Tiranës urdhëroi ndalimin e inxhinierit teknik dhe administratorit të firmës private, e cila kishte detyrë lyerjen e fasadës së pallatit 13 katësh.




Skip to toolbar