Selami Simsek i arrestuar në Rinas dhe i akuzuar për falsifikim dokumentesh është lënë në burg nga gjykata e Tiranës. Ai është dënuar me 18 muaj burg por do të qëndrojë pas hekurave vetëm për 1 vit pasi përfiton nga gjykimi i shkurtuar.
I akuzuar nga autoritetet turke si mbështetës i klerikut Gylen, Simsek u arrestua në Rinas në përpjekje për të udhëtuar drejt Kanadasë me një vizë false.
Në të njëjtën ditë me të u prangos edhe mësuesi turk, Harun Celik, i cili u deportua nga autoritetet shqiptare drejt Turqisë.
Pak ditë më herët shtetasi turk Selami Simsek i kërkoi shtetit shqiptar azil politik në Shqipëri pasi në Turqi i rrezikohet jeta, për shkak se njihet si mbështetës i Fetullah Gylen i shpallur armik i shtetit.
Simsek ka firmosur kërkesën e tij që i drejtohet autoriteteve shqiptare dhe ku shkruan se kërkon azil politik në Shqipëri për shkak se qeveria turke e cilëson atë si gylenist dhe nëse shkon në Turqi ai rrezikon jetën.
Për këtë kërkesë të tij ende nuk ka një vendim nga autoritetet shqiptare.