Vettingu shkarkon një tjetër prokuror dhe bëhet fjalë për Gentian Osmanin, anëtar i Këshillit të Lartë të prokurorisë, i cili njihet si prokurori që kërkoi arrestimin e ish ministrit Saimir Tahiri. Osmani e kishte kaluar fazën e parë të vettingut, por vendimi i KPK-së, u ankimua nga Komisioneri Publik pas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe çështja kaloi për rishqyrtim në KPA. Vendimi i së mërkurës i KPA-së për shkarkimin nga detyra të prokurorit Osmani është i formës së prerë.
Komisineri Publik argumentonte se prokurori se nuk justifikon pasurinë. Sipas Komisionerit Publik, prokurori nuk ka arritur një nivel të besueshëm për të shërbyer në sistemin e drejtësisë.
“Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të paraqitur ankim, nisur nga parashikimi i nenit 179/b/5 të Kushtetutës, neneve C/2, Ç, D, DH, E dhe F/7, të aneksit të Kushtetutës, konsideron se, ndryshe nga sa ka konkluduar Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për kriteret e vlerësimit, nuk krijohet bindja se subjekti i rivlerësimit ka arritur nivelin e besueshëm, sipas nenit 59/1 të ligjit nr. 84/2016. Kërkojmë që shkaqet e këtij ankimi së bashku me denoncimin nga publiku të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në zbatim të nenit 66, të ligjit nr. 84/2016, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 61, datë 2.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Gentian Osmani. Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, shkruhet në njoftim.
Me shkarkimin e Gentian Osmanit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë mbetet me 10 anëtarë. Në këto kushte Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku pritet të bëjë edhe një herë thirrjen e prokurorëve, për pasuesin e tij në KLP.