Drejtoria detare bllokon disa anije turistike në Vlorë, ndalohet lundrimi natën

AKTUALITET


Disa ditë më parë, në Karaburun u shkrumbua plotësisht nga anija turistike “Aqua Marine”, e cila ishte ankoruar në një pjesë të gjirit të Vlorës, për t`i shpëtuar stuhisë. Shkaku i zjarrit në anijen turistike, që operonte përgjatë brigjeve të karaburunit, ishte një shkëndijë elektrike në motorin e saj.

Fatmirësisht, pesë anëtarët e ekuipazhit që ishin duke fjetur në momentin që ra zjarri, shpëtuan pa lëndime pasi u hodhën në ujë. Megjithatë, kjo situatë ka vënë në lëvizje Drejtorinë e Përgjithshme Detare në Durrës, që ka marrë disa masa, për të parandaluar rreziqe të tjera te anijet turistike, që gjatë sezonit të verës, transportojnë pasagjerët.


Me anë të një komunikate për shtyp, mësohet se në Vlorë janë ushtruar kontrolle në 15 anije turistike, 12 mbajnë më shumë se 12 pasagjerë. Sipas njoftimit mësohet se në disa raste në këto anije nuk janë gjetur mjete zjarrfikëse.

Këto anije janë bllokuar nga Kpiteneria e Portit Vlorë, deri në plotësimin e kërkesave. Gjithashtu, një tjetër masë e marrë ndaj këtyre anijeve, është ndalimi i lundrimit gjatë orëve të natës, për të evituar çdo rrezik të mundshëm për turistët që përdorin këto anije.




Skip to toolbar