Për situatën e rënduar politike në vend ka reaguar edhe Kisha Katolike e Shqipërisë, ku kreu i saj imzot Xhorxh Frendo ka kërkuar që palët të gjendjen një zgjidhje paqësore. Mos e çoni vendin në një të keqe më të madhe dhe merrni shembull nga harmonia fetare në vend tha imzot Xhorxh Frendo duke ju drejtuar kështu shmangies së një përplasje civile
“Ky është një apel kushtuar politikanëve. Edhe njëherë ju drejtohemi juve që zëri ynë të gjejë jehonë në zemrat tuaja. Jemi të vetëdijshëm për situatën kritike në vend. Sidomos gjatë ditëve të fundit kemi lexuar shkrime të shumë personave. Këta mendojnë se situata do të përkeqësohet në vendin tonë. Si na ka mësuar historia, në të ardhmen do iu bëjë përgjegjës për dëmtim që i keni shkaktuar atdheut. Në emër të Zotit, ne katolikët iu lutemi të dhuroni dashuri ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke na treguar se me vendosmëri të kërkoni zgjidhje paqësore për këtë situatë. Nuk duam që e keqja të na çojë në të keqe më të madhe. Nuk mund të mbyllim sytë për anomalitë që ekzistojnë. Nuk ka paqe të vërtetë nëse nuk ndërtohet mbi drejtësinë. Harroni sulmet ndaj njëri-tjetrit. Duajeni Shqipërinë më shumë se partitë. Shumica e popullit tonë kërkon prej jush vullnet, që të mos shkojmë në humnerë vdekjeprurëse. Hapni kapitull të ri në politikë. Besimet fetare kanë harmoni, e politika nuk duhet të përçajë popullin shqiptar. Zoti iu dhëntë guxim për të gjetur rrugën e drejtë dhe të paqes.” – tha Imzot Xhorxh Frendo.
Gjatë ditës së enjtes në fakt edhe opozita, si rrallë herë ka mbajtur një gjuhë më të butë duke u larguar nga pika kryesore e tyre “Rama ik”, por duke kërkuar si kusht “të dënohen personat që kanë vjedhur zgjedhjet”, duke lënë kështu të hapur një shteg për herë të parë pas shumë javësh, se mund të ketë një marrëveshje. Ndërsa në të njëjtën linjë ishte edhe presidenti Meta, ku deklaroi se dekreti ishte në të mirë të ruajtjes së stabilitetit dhe shmangies së konfliktit , por që mesa pamë nga situata në bashkitë e drejtuara nga opozita, nuk rezultoi aspak kështu. Si duket edhe Meta ka nisur “reflektimin”.
Kisha katolike ka luajtur gjithmonë një rol shumë interesant megjithëse larg dritave të skenës, në momente kyçe të historisë, përfshirë edhe të Shqipërisë. Në thelb të Marrëveshjes së Triestes të vitit 1992, ku thuhet se u ra dakord për një tranzicion të paqtë mes ish komunistëve dhe demokratëve, ishte Komuniteti San’Egidio në Itali, dhe përfaqësuesi i tij Dom Vincezo Paglia. Paglia vizitoi një herë Tiranën edhe gjatë këtyre muajve të krizës. Por asnjëherë nuk u mor vesh se çfarë bisedoi me palët. Në fund të fundit ky nuk është misioni i tij dhe i kishës, por rezultati. A ishte kjo që paralajmëruan krerët e kishës katolike pasditen e të enjtes?