Klosi: SHBA po pret SPAK që të nisë hetimet ndaj Berishës

Më të fundit


Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka komentuar zhvillimet politike në vend dhe sidomos atyre të ndihura gjatë vitit 2021 që sapo shkoi, ndërsa e ka ndalur theksin tek qeveria, reforma në drejtësi, situata brenda Partisë Demokratike, përplasjet Basha-Berisha, si dhe shkarkimi i Ilir Metës si president dhe e ardhmja e tij. Gjatë një intervistë për gazetën “SOT”, zoti Klosi u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha është hedhur në aksion nga frika e drejtësisë dhe kërkon që përmes thirrjeve për kaos e kërcënimeve të shantazhojë e frikësojë kundërshtarët. Sipas ish-kreut të SHISH Berisha pritet të përfundojë në SPAK, ndërsa bëri me dije se më të interesuarit që e duan ish-kryeministrin pas hekurave janë SHBA-të. Sipas tij, Berisha është i korruptuar dhe ka minuar demokracinë andaj dhe amerikanë kërkojnë që drejtësia të veprojë mbi të. Madje, Klosi ka shkuar deri atje sa iu ka bërë thirrej prokurorëve të SPAK që të godasin të korruptuarit si majta ashtu edhe djathtas. Po ashtu, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror i bëri thirrje organeve të drejtësisë që të çojnë para drejtësisë edhe ata që janë përgjegjës për “Gërdecin” apo “21 Janarin”. Nga ana tjetër, zoti Klosi ka paralajmëruar edhe shkarkimin e Ilir Metës si president nga Gjykata Kushtetuese dhe rikthimin e tij në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

-Zoti Klosi, viti që lamë pas ishte i mbushur me shumë zhvillime politike, qoftë nga drejtësia, qoftë nga politika. Si e shihni vitin 2022, mendoni se do kemi diçka të re apo e njëjta situatë?

Jo, nuk besoj se do të jetë e njëjta situatë në vitin 2022. Gjatë vitit 2021 kanë ndodhur shumë zhvillime dhe nuk besoj se do të jemi në proces pritej gjatë 2022, siç ishim këtë viti që sapo lamë pas. Kështu që janë shumë arsye se përse mendoj kështu.

-Çfarë ju la përshtypje nga viti që lamë pas, në aktualitetin shqiptar sigurisht?

Janë shumë zhvillime që më kanë lënë përshtypje, sikundër janë zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, shkarkimi nga Kuvendi i presidentit Ilir Meta dhe situata brenda Partisë Demokratike. Për këtë të fundit, mendoj se kanë ndodhur shumë gjëra dhe praktikisht mendoj se PD-ja po shkon drejt një ndarje, ku nesër do të kemi dy parti. E gjithë lufta do të bëhet se kush do të mbajë emrin dhe kush do të mbajë godinën e Partisë Demokratike. Nga kjo pikëpamje po shohim që lufta brenda PD-së po bëhet e ashpër dhe si Luli, ashtu dhe Saliu, duket se nuk lëshojnë pe. Sali Berisha ka mbështetësit e tij, ndërsa Lulzim Basha ka mbështetësit e tij. Saliu ka mbështetje të fortë në bazë, ndërkohë që Luli ka në qendër, pasi më shumë ka figura të rëndësishme si deputetët, anëtarë të Kryesisë, Këshillit Kombëtar dhe krerët e degëve të Partisë Demokratike. Mesa duket lufta do të bëhet e fortë dhe sikundër e thashë më sipër do të kemi ndarjen e PD-së në dy parti. Po ashtu nga ana tjetër do të shohim që do të ketë edhe një proces gjyqësor për Partinë Demokratike, ku klani “Basha” dhe klani “Berisha” do të kërkojnë të drejtën e tyre në gjykatë. Këto janë zgjidhet dhe sherri e përplasja ka shkuar aq larg sa nuk mund të shikosh në fund të tunelit një “armë pushim” mes Bashës dhe Berishës. Konflikti ka shkuar aq larg sa nuk mund të parashikosh se palët e përfshira në konflikt mund të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe dakordësinë. Sa i takon çështjes tjetër përtej politikës, mendoj se është reforma në drejtësi, e cila sipas meje ka hyrë në shina. Pra të gjitha këto, mendoj se janë disa nga çështjet apo ngjarjet që më kanë lënë përshtypje për vitin 2021.

-Që prej majit e deri në dhjetor në qendër të vëmendjes ka qenë ish-kryeministri Berisha, i cili u shpall non grata, më pas u përjashtua nga PD dhe nisi një betejë për të marrë kreun e partisë. Si e shihni fatin e ish-kryeministrit?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë që Sali Berisha është i korruptuar. Amerikën kanë prova për Berishën dhe kjo nuk ka vend për diskutim. SHBA-të kanë folur qartë dhe tani topi ndodhet në anën e Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Është SPAK-u që duhet të nisë tashmë hetimet për Saliu, pasi është shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikë i Shtetit dhe mbi të rëndojnë akuza të forta si i përfshirë në korrupsion madhor dhe minues i demokracisë. Madje në dijeninë time amerikanët kanë bërë edhe një pretim, që ne do ta mbështesim Prokurorinë Speciale në hetimet që do të bëjnë për Sali Berishën, pasi do të sjellin provat për të. Pra, SHBA pret që sapo të nisë hetimet SPAK-u për Berishën, ata do të sjellin provat që kanë kundër tij. Kështu që duhet të nisin hetimet këtu brenda për Berishës. Sa i takon akuzave të Berishës dhe gjyqi që ai ka hapur në Francë kundër Sekretarit Amerikën të Shtetit, Antony Blinken, kjo është një lojë dhe Saliu po luan blofin. Berisha si do që të shkojë gjyqi kundër Blinkenit, këtu në Shqipëri dhe në radhët e mbështetësve të tij do ta mburrë, duke e shitur si suksese, që sipas tij, gjykata dha vendime në favor të tij e kundër amerikanëve. Këto janë broçkulla, pasi edhe Berisha vetë e di që e ka të humbur luftën me amerikanët. Saliu nuk është fare i interesuar që të dijë si qëndron e vërteta me shpalljen e tij “non grata” nga DASH. Berisha ka thënë gjithmonë gjatë këtyre muajve, vetëm ato që i interesojnë atij dhe asgjë tjetër. Saliu këto po i bën për konsum të brendshëm politik, pasi dhe vetë ai e di farë e pret.

-Sot është data 5 janar, afat të cilin i ka vënë Berisha si afat Bashës për të liruar zyrën. Çfarë prisni të ndodhë në datë 6 nëse Basha nuk largohet? A ka gjasë që Berisha të tentojë marrjen me forcë të selisë?

Nuk besoj se Lulzim Basha do ta lirojë zyrën dhe selinë e Partisë Demokratike, pas ultimatumeve të Sali Berishës. Përplasjen dhe se kush ka të drejtë në PD, Saliu apo Luli do ta vendosë gjykatë. Aktualisht palët i janë drejtuar gjykatës vetëm për regjistrimin e Statutit të ri, por konflikti është më i thellë dhe duhet një hetim e gjykim i çështjes me themel. Gjyqi do të trajtojë kush ka të drejtë, Berisha apo Basha. Vetëm gjykata i jep zgjidhje këtij konflikti dhe vendimet e dalë prej saj, janë detyrues për palët. Kështu që mendoj se sherri në Partinë Demokratike do të vijojë dhe përpallë njëri-tjetrit janë dy grupime. Kaq e thjeshtë është kjo punë. Sa i takon pyetjes suaj se a ka gjasë që Berisha të tentojë marrjen me forcë të selisë, mendoj se po. Sali Berisha është njeri i konfliktit dhe që ka pasion dhunën, kështu që edhe një përplasje e mundshme në PD nuk mund të përjashtohet. Por nga ana tjetër mos harroni që Lulzim Basha është kryetari legjitimi Partisë Demokratike dhe opozitës dhe mbrohet me ligj.

-Në datën 8 Berisha ka paralajmëruar një tjetër protestë. Mendoni se qëllimi i vërtetë i saj ka të bëjë me “pushtimin” e selisë së PD?

Nuk di të them se kush është qëllimi i vërtet i protestës së thirrur nga Sali Berisha më 8 janar, por di të them që Saliu është i paparashikueshëm. Ai në këto 30 vite ka gjetur sebepe për të protestuar dhe çuar vendin drejt destabilizimit. Por këtë protestën e thirrur nga Berisha më datën 8 janar nuk e kuptoj! Nuk e di se kundër kujt proteston Sali Berisha dhe kush është qëllimi apo kauza. Berisha me protestën e 8 janarit kërkon që t’iu tregojë muskujt kundërshtarëve dhe gjithashtu kërkon të tregojë se shiko se ne jemi luftarakë dhe nuk pyesim për asnjë. Pra ideja e kësaj protestë është thjeshtë që Berisha kërkon të demonstrojë forcën dhe të tregojë se është ndryshe nga Lulzim Basha. Kështu që duke e mbyllur, nuk përjashtohet mundësia që të kemi edhe dhunë më 8 janar.

-Pse Berisha po këmbëngul kaq fort të marrë PD dhe a i trembet një arrestimi të mundshëm. Kohët e fundit po shtohen zërat për marrjen e tij të pandehur.

Duhet pyetur ish-kryeministri Sali Berisha se a i trembet një arrestimi të mundshëm. Por për mua si Fatos, mendoj se Saliu po këmbëngul fort të marrë Partinë Demokratike, pasi i trembet një arrestimi të mundshëm dhe ai kërkon ta përdorë PD-në si mburojë kundër drejtësisë dhe amerikanëve. Të gjitha këto gjëra që Sali Berisha ka bërë deri më tani, janë pasojë e asaj trembjeje. Mos dëgjoni broçkullat e Berishës. Edhe gjyqi në Francë, edhe sakrifikimi i Partisë Demokratike për hallin e tij personal, janë pasojat që Berisha ka frikë nga drejtësia dhe arrestimi i mundshëm. Saliu e di që është i humbur dhe tani po përdor çdo gjë për të mbijetuar.

-Zhvillim tjetër i janarit është gjyqi për shkarkimin e presidentit. Çfarë pritshmërisë keni ju? Mendoni se do kemi një vendim apo Meta do e mbyllë mandatin në korrik?

Mendoj se presidenti Ilir Meta do të shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese. Dhe madje ky mendim përforcohet nga fakti që sipas llogarive që i bëjnë ata sa i takon anëtarëve të Kushtetuese, mendoj se ai nuk ka më influencë në të dhe për rrjedhojë do të shkarkohet.

-Pak ditë më parë Monika Kryemadhi paralajmëroi kthimin e Metës në krye të LSI. Si e shihni këtë zhvillim?

Shiko! Qëllimi i deklaratës së bërë pak ditë më parë nga Monika Kryemadhi se Ilir Meta do të rikthehet në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim ky ka qenë. Meta dhe Kryemadhi e dinë që Gjykata Kushtetuese do ta shkarkojë si president dhe tani po përgatitin terrenin që ai të rikthehet në krye të LSI, ku synimi është që ta forcojë këtë parti që të ketë suksese në zgjedhjet e ardhshme, qofshi këto lokale apo parlamentare.

-E shikoni një bashkëpunim Meta-Berisha, nëse ky i fundit merr PD-në dhe ai rikthehet në krye të LSI-së?

Po edhe mundet. Presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë bashkë dhe i lidhin pazaret me njëri-tjetrin. Saliu dhe Ilir kanë bashkëpunuar më parë dhe madje e kanë mburrur njëri-tjetrin. Por nga ana tjetër besoj se Sali Berisha nuk do të jetë vetë kryetari i Partisë Demokratike në rast se e merr, pasi në krye të saj një njeri të besuar, nëqoftëse nuk është penduar me Lulin, pasi ky i fundit ishte një besnik i tij. Pra gjasat janë që Berisha dhe Meta të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të bërë një opozitë të foto kundër Edi Ramës dhe Partisë Socialiste.

-Javët e fundit të 2021 një skandal që shpërtheu ishte ai i publikimi t të dhënave të pagave apo targave. Si i keni parë këto zhvillime. Pse dolën këto të dhëna?

Skandali me publikimin e të dhënave të pagave apo targave për mua është qesharak. Unë kurrë nuk i kam seriozisht nxjerrjen e publikimeve të të dhënave të qytetarëve. Pra në këtë rast duhet hetuar se kush i nxori dhe kush përfitoi, pasi në këtë rast jam i sigurt që pas këtij skandali të fshihet qeveria. Kjo e fundit i ka këto të dhëna dhe nuk është e interesuar që t’i bëjë publike.

-Kryeministri ka folur se kemi të bëjmë me një skenar destabilizimi. Si mendoni ju a ka diçka që fshihet pas këtyre publikimeve?

Të gjitha janë të mundura. Skandali me publikimin e të dhënave të pagave apo targave është bërë dhe nga grupe të caktuar për të larguar vëmendjen nga skandalet. Por për sa kohë unë nuk kam ndjerë që dikush të këtë një argument dhe të thotë se këta e kanë nxjerrë dhe qëllimi ka qenë, kjo gjë apo ajo gjë. Megjithatë mua personalisht ideja e publikimit të të dhënave më duket një punë boshe dhe një stuhi në gotë uji. Pse? Sepse kanë dalë të dhenta e rrogave dhe targave. Targat i ka Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, ndërsa pagat i ka Drejtoria e Përgjithshme e tatimeve dhe s’ka arsye që këto t’i ketë nxjerrë qeveria. Pra të dhenta i kanë shumë institucione njëkohësisht dhe nuk janë të mbrojtura. Dhe çfarë ka ndodhur nga dalja e të dhënave. Sa i takon faktit tjetër që mos pas këtij skandali fshihen palë të huaja, nuk besoj se qëndron.

-Çfarë prisni nga drejtësia? SPAK e mbylli vitin me arrestimin e ish-ministrit Koka. Mendoni se do kemi të tjera arrestime në nivele të larta?

Shiko, reforma në drejtësi ka hyrë në shina, ndërkohë që organet e reja të dalë prej saj, veçanërisht Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Byroja Kombëtare e Hetim janë konsoliduar e çdo ditë po tregojnë se janë të vendosura për të luftuar me zero tolerancë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta e jo vetëm. Nga kjo pikëpamje një goditje e bujshme e fortë e bërë nga SPAK është hetimi për çështjen e inceneratorëve dhe arrestimi i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka. Ky i fundit ka qenë ministër në atë kohë dhe ndoshta ka gabuar, apo ka firmosur gjëra që nuk duhet të firmoste, veprime këto që i kushtuan heqjen e lirisë. Por edhe ata dy të tjerr që kanë përfituar nga firma e ish-ministrit Koka për inceneratorët, nuk janë kanë ikur dhe janë në kërkim policor. Por problemi nuk është vetëm kjo çështje, pasi duhet që të shohim të tjera arrestime në nivele të larta. Sot që falim janë shumë dosje që duhet të hetohen dhe përgjegjësit të shkojnë para drejtësisë. Ato janë “Gërdeci” dhe “21 janari”., për të cilat mendoj dhe inkurajoj SPAK-un që t’i hetojë dhe t’i dërgojë para drejtësisë përgjegjësit dhe fajtorët. Janë plot dosje që flenë në sirtarët e prokurorisë që nuk janë hapur, pasi ishte politika ajo që vendoset dhe jo gjyqësori. Mirëpo tani që flasim gjërat kanë ndryshuar dhe sistemi gjyqësorë është i pavarur dhe mund të godasë si majtas, ashtu edhe djathtas. Sot prokurorët e SPAK kanë mbështeten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, ndërkohë që politika s’ka më influencë dhe forcën që t’i shantazhojë ata. Kështu që tashmë është Prokuroria Speciale që vendose nëse do të hapet një proces gjyqësor, nëse do të hetohet një zyrtar i lartë dhe jo politika. Pra, unë mendoj se Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit duhet të hetojë dhe të çojë përpara drejtësisë të gjithë zyrtarët dhe ish-zyrtarët e përfshirë në korrupsion apo afera. SPAK duhet të guxojë dhe s’duhet të bëjë ndarje, po të godasë këdo që shkel ligjin. Drejtësia duhet të jetë e barabartë dhe unë shpresoj se një fazë e parë e SPAK është kapërcyer, pasi me dënimin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, hetimet për inceneratorët dhe hetimet pasuror për disa prej gjyqtarëve të shkarkuar nga procesi i vetingut është një ogur i mirë. Megjithatë le të shpresoj që do të shohim para drejtësisë këdo që ka abuzuar me ligjin dhe me fondet e shtetit.

-Duke qenë se jemi në fillim të vitit 2022, keni një mesazh për qytetarët dhe mediat?

Po kam! Gjithë qytetarëve shqiptarë iu uroj gëzuar vitin 2022 dhe qoftë një viti i begatë për të gjithë. Ndërkohë kam edhe një mesazh për mediat, të cilat mendoj se duhet të jenë më të kujdesshme dhe ta përcjellin lajmin tek qytetarët sa më të thjeshtë dhe sa më të pavarur, duke shkruar dhe publikuar çdo gjë në formën më autentike. Media është një pjesë e rëndësishme e realitetit shqiptar. Është media ajo që trajton lajmet, ajo që diskuton lajmet dhe iu jep formën që përfundojnë tek njerëzit. Kështu që mesazhi im është që mediat të jenë më të kujdesshme, duke i qëndruar besnik profesionalizmit dhe të çojë lajmin tek njerëzit sa më thjeshtë dhe të pandikuar nga njëra palë apo pala tjetër politike. Media dhe gazetarët duhet të jenë të kujdesshme dhe të sqarojnë mirë njerëzit. Media duhet të jetë e pavarur.



Skip to toolbar