Këshilli i Lartë i Prokurorisë përmes një letre i kërkon kryeprokurores Arta Marku që të nisë menjëherë një hetim disiplinor për prokurorin Arian Ndoja. Duke e cilësuar atentatin ndaj tij një ngjarje të rëndë në radhët e magjistratëve dhe të sistemit të drejtësisë në vend, KLP i referohet medias teksa thotë se prokurori Ndoja ka një studio ligjore. Nëse kjo rezulton të jetë e vërtetë, kjo përbën shkelje disiplinore. Pikërisht për këtë KLP kërkon nisjen e hetimit disiplinor për prokurorin Ndoja. Përsa kohë nuk është krijuar ende inspektorati i lartë i Drejtësisë, i takon prokurorit të përgjithshëm që të hetojë pretendimet për shkelje disiplinore.
“Ngjarja e ndodhur në datën 01.11.2019, në mbikalimin e Shkozetit, ku u qëllua me armë zjarri ndaj makinës së prokurorit Arian Ndoji, dhe si rezultat i atentatit mbetën të plagosur, prokurori Arian Ndoji, shoferi i tij, Andi Maloku si dhe një person tjetër i identifikuar me emrin Aleksandër Laho, është një ngjarje e rëndë në rradhët e magjistratëve si dhe të sistemit të drejtësisë në vend.
Nisur nga të dhëna paraprake si dhe nga një prononcim dhëne për median A2 News nga prokurori Ndoji, bëhet me dije fakti që prokurori drejton prej kohësh një studio ligjore ku ofron konsulencë ligjore për çështje të ndryshme. Ky fakt nëse do të rezultonte i vërtetë, do të përbënte shkelje disiplinore të parashikuara në nenin 103 pika a dhe ç, të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Neni 160/5 i Ligjit 96/2016“Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” si dhe nenit 194/2 gërma ç, i Ligjit 115/2016“Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ngarkojnë Prokurorin e Përgjithshëm me detyrën qe të hetojë të gjitha pretendimet për shkeljet disiplinore në rradhët e prokurorëve për sa kohë nuk është krijuar Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.
Sa më lartë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në nenin 119 të ligjin 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, kërkon nga ana Juaj, nisjen e një hetimi disiplinor ndaj prokurorit Arjan Ndoji, duke gjykuar nëse janë konsumuar apo jo prej tij shkeljet disiplinore të parashikuara nenin 103 pika a dhe ç, të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Mbetemi ne pritje te gjetjeve dhe propozimeve Tuaja”, shkruhet në shkresën që KLP i ka dërguar kryeprokurores Marku.
Gjatë një prononcimi për A2news Ndoja tha, për të argumentuar dokumentet e gjetura në makinën e tij, se prej kohësh ofron konsulencë ligjore dhe se këto dokumente janë pikërisht në shërbim të punës së tij.