Ekzekutohet 43-vjeçari në Shkodër

AKTUALITET


Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur mesditën e së mërkurës në Shkodër. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:40, në fshatin Sumë, Njësia Administrative Pult në Shkodër, ndërsa i vdekur në vendngjarje ka mbetur 43-vjeçari GJergj Krygja.

“Në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri shtetasi Gj. K. 43 vjeç, i cili ka ndërruar jetë”- njofton policia.


Në drejtim të vendngjarjes janë nisur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje.

Televizionet informative raportojnë se 43 vjeçari, baba i tre fëmijëve, është vrarë në derën e shtëpisë dhe dyshohet për një konflikt të mundshëm për shfrytëzimin e pyjeve.

Ai kishte shkuar në fshat për të mbledhur prodhimet e dimrit, që ka në tokat bujqësore, kur është qëlluar për vdekje. Gjergj Krygja nuk jetonte në këtë banesë, në fshatin Sumë të Dukagjinit, por shkonte atje herë pas herë, vetëm për të mbledhur prodhimet e dimrit.

Kjo është ngjarja e dytë që ndodh në Dukagjin, brenda pak javësh, pasi më 21 tetor u ekzekutua 55-vjeçari Lazër Arraj, teksa edhe ai kishte shkuar në fshat për të mbledhur prodhimet e dimrit. Për këtë vrasje, është arrestuar kushëriri i viktimës, i riu Marash Arraj, ndërsa u zbulua se ngjarja kishte ndodhur për shkak të konflikteve të vjetra mes familjeve.




Skip to toolbar