Koka: Sot jam i lirë të mbështes çdo parti që i shërben vendit

POLITIKË


Pas shumë akuzash në lidhje me legjitimitetin e partisë së re Bindja Demokratike, ka reaguar për herë të parë deputeti Lefter Koka.

Koka ka sqaruar se ai është i lirë të mbështes çdo parti apo kryetar partie apo individ që gjykon se japin një garanci më shumë për të ardhmen e sigurt të vendit.

“Fatmirësisht sot jam i lirë të mbështes çdo parti, Kryetar partie apo individ që unë gjykoj se japin një garanci më shumë për të ardhmen e sigurt të vendit. Më duhet të ndaj mbështetjen për individin pasi sot fatkeqësisht shohim se individët shpesh kanë rol më të rëndësishëm se zëri i partisë”- shkruan Koka në Facebook

Koka sqaron se për shkak të ndryshimeve kushtetuese të Berishës në 2008, ai mbështeti kontribuesin në PD.

“Në Shqipërinë e çudirave ndodh gjithçka. Ndryshimet kushtetuese të Berishës në 2008-ën, me qëllimin e vetëm, eliminimin e çdo kundërshtari, sot kthehen në një pengesë serioze për kandidimin në zgjedhjet lokale, të ish bashkëpunëtorit të Berishës dhe kontribuesit të PD-së z. Astrit Patozi. Kujtoj këtu liderin e opozitës, që në një fushatë të pamëshirshme Maj – Qershor 2017 përqendroi gjithë forcat e tij kundër LSI dhe jo vetëm kaq, por e etiketoi këtë forcë politike si të keqen e shqiptarëve. Shohim qartë sot njerëz që për pushtet e për të shpëtuar veten janë të gatshëm të bëjnë pakt edhe me djallin. Kuadri ligjor dhe vullneti i popullit për një rrugë të shpejtë të vendit drejt integrimit evropian ja jep Bindjes Demokratike këtë legjitimitet, ndaj me vullnet e bindje të plotë unë mora vendimin të mbështes me firmën time z. Patozi në rrugën e tij dhe mbështetësve të tij, duke vazhduar të besoj dhe aderoj në bindjet e mia të majta. Unë besoj se një klasë e re politike opozitare është domosdoshmëri për Shqipërinë demokratike e pluraliste.” – shkruan Koka



Skip to toolbar