Policia e Shtetit njoftoi të dielën se arrestoi 4 shtetas, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale. Sipas njoftimit, mësohet se është arrestuar një 36-vjeçar me inicialet E.M., pasi në rrugën “Ibrahim Dervishi”, u kap në flagrancë duke kryer punime pa leje në lokalin e tij.
Shërbimet e forcës “Shqiponja”, vunë në pranga një shtetas me inicialet K.Gj., 27-vjeç, banues në Rrëshen. Ky shtetas u arrestua pasi është ndaluar në rrugën “Muhamet Gjollesha”. Pas kontrollit të kryer nga policia, rezultoi se 27-vjeçari kishte thyer urdhërin “Arrest shtëpie”, duke dalë nga banesa.
Po forcat “Shqiponja” në bashkëpunim me sektorin e narkotikëve, arrestuan një 31-vjeçar me inicialet J.Ç. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar këtij shtetasi iu gjetë në çantën e krahut 1.4 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi për veprën penale “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.
Personi i katërt i arrestuar nga policia, është 41-vjeçari me inicialet G.H., banues në Tiranë. Ky shtetas ka dhunuar fizikisht bashkëshorten e tij. Ndaj, policia e arrestoi për akuzën e “Dhunë në familje”. Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.