Të katër personat e arrestuar për daljen e të dhënave personale janë liruar nga Gjykata, e cila ka vendosur arrest shtëpie për tre prej tyre dhe detyrim paraqitje për shtetasen Eni Qirjako, specialiste e IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Ndërkohë që Prokuroria kishte kërkuar “detyrim paraqitje” për Qiriakon dhe “arrest në burg” për tre të tjerët.
Skema e nxjerrjes dhe shitjes së të dhënave personale është zbardhur nga dëshmitë e vetë të akuzuarve. Gazetarja Klodiana Lala raportoi se Eni Qirjako ka deklaruar që i ka kërkuar Andi Agarai të dhënat, si koleg, pasi i duheshin për qëllim studimor. “Agarai ka thënë se kishte një studim master dhe Qirjako ia ka kaluar databazën në mirëbesim, pa ditur se për çfarë do t’i përdorte.
Më pas, kur janë publikuar të dhënat, Agarai i ka kërkuar të formatojë kompjuterin, por Qirjako nuk e ka bërë.
Ndërsa Endri Ikonomi, ka pretenduar se i ka blerë me faturë tatimore të dhënat tek Klodian Sota, pasi i duheshin për biznesin e tij, por se nuk e dinte burimin e tyre.
Qirjako ka zbardhur mënyrën e nxjerrjes, ndërsa Agarai ka treguar emrat se ku i shiti”, raportoi Lala.
Prokuroria ka pasur në përgjim rreth 30 persona, po nga përgjimet nuk ka rezultuar asnjë e dhënë e nevojshme për hetimin dhe e gjithë skema është zbardhur nga deklarimet e të akuzuarve.